REGJIMI TATIMOR MBI PASURITË E PALUAJTSHME

Përgjithësisht taksat dhe tatimet e aplikueshme mbi pasuritë e paluajtshme janë një burim tërheqës të ardhurash për qeveritë, por megjithatë shpeshherë një nivel taksimi i lartë rrezikon të dekurajojë lëvizjen e tregut të punës dhe investimet e vlefshme nga investitorët vendas dhe ata të huaj. Shqipëria, krahasuar me vendet e rajonit dhe ato europiane aplikon një regjim tatimor relativisht të moderuar i cili ka ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme për t’ju përshtatur situates ekonomike dhe sociale te vendit .

Legjislacioni tatimor shqipëtar parashikon një sere taksash për kategori të ndryshme pasurish të paluajtshme, si dhe një sere tatimesh të aplikueshme në rastin e transferimit të titullit të pronësisë apo shfrytëzimit të pasurisë së paluajtshme.

Ligji Nr. 9632, date 30.10.2006, (i ndryshuar) parashikon se taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfshin:

(a) Taksën mbi ndërtesat mbi dhe nën tokë;

(b) Taksën mbi tokën bujqësore;

(c) Taksën mbi truallin;

Taksën mbi pasurinë e paluajtshme e paguajnë të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë apo përdorues të pasurive të mësipërme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të pasurisë. Taksat llogariten si detyrim vjetor i taksapaguesit. Detyrimi per taksën mbi ndërtesat llogaritet si shumëzim i bazës së taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën.

Taksa mbi ndërtesat. Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Shkalla e taksës caktohet në lekë për metër katror. Taksa mbi ndërtesën është mes 5 te 30 lekë/ m² në vit për njësitë e banimit dhe nga 40 te 400 lekë/m² në vit për bizneset dhe banuesit e fshatrave turistike. Taksa mbi ndërtesat, që përdoren për qëllime biznesi varion nga 5 deri në 30 lekë/m², ndërsa taksa mbi ndërtesat në pronësi të biznesit varion nga 200 lekë në 400 lekë/m². Ndryshimi i nivelit të taksës lidhet edhe me faktorë të tjerë si zona në të cilën ndodhet pasuria e pasurisë apo viti i ndertimit të ndërtesës. Gjithashtu, tatimpaguesit, që kanë në pronësi më shumë se një banesë, për shtëpinë ku kanë banimin e zakonshëm paguajnë taksën e ndërtesës, si më lart. Ndërsa, për të gjitha njësitë e banimit shtesë, taksa e ndërtesës është sa dyfishi i taksës së ndërtesës, që zbatohet në zonën ku ndodhet kjo ndërtesë.

Baza e vendosjes së këtyre taksave është ndarja e ndërtesave në tre zona sipas vend ndodhjes. Në zonën e parë hyn Tirana dhe Durrësi, në zonën e dytë bëjnë pjesë qytetet të tilla si Korça, Vlora, Fieri, Shkodra etj dhe në zonën e tretë bëjnë pjesë bashkitë e qyteteve të vogla. Ndërkohë taksa e ndërtesës në zonat rurale është sa 50 përqind e zonës urbane. Kështu taksa mbi ndërtesat në zonën e parë është tre herë më e lartë se në zonën e tretë. Për vendosjen e kësaj takse ekziton edhe një tjetër kategorizim ndërtesash në varësi të kohës kur ato janë ndërtuar. Ndërtesat e vitit 1993 përbëjnë kufirin për ndarjen e këtij lloj kategorizimi. Taksat mbi ndërtesat e përpara vitit 1993 janë më të ulëta, ndërkohë që ato pas vitit 1993 janë më të larta. Kemi edhe ndarjen tjetër  në kategori të ndërtesave sipas qëllimit të përdorimit tyre, për tregëti, banim apo qëllime të tjera.

Ndryshimet e reja legjislative qe pritet te hyjne ne fuqi në datën 1 prill 2018 parashikojne se shkalla e taksës mbi ndërtesat,aplikohet si përqindje e bazës së taksës, prej :

a) 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon;

b) 0.2% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;

c) 30% per te gjithe siperfaqen ndertimore, per te cilen zhvilluesi është pajisur me leje ndertimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të caktuar .

Taksa mbi tokën bujqësore. Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësi ose në përdorim të taksapaguesit. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme dhe kjo taksë varion nga 700 te 5,600 lekë për hektar. Një lehtësim prej 50% të taksës aplikohet për projekte specifike në zonat bujqësore.

Taksa mbi truallin, Prej vitit 2016 taksohen gjithashtu edhe pronarët dhe përdoruesit e truallit. Baza e taksës mbi truallin është sipërfaqja e truallit, në metër katror, në pronësi apo përdorim të taksapaguesit. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme dhe kjo taksë varion nga 0.14 te 0.56 lekë / m² për individët dhe nga 12 te 20 lekë për m² për bizneset.

Tatimi i pagueshëm në rastin e kalimit se drejtës së pronësisë

Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë apo ndërtesa, tatohet me 15 përqind të fitimeve të realizuara. Ky përcaktim nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Tatimi paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit të pasurive të mësipërme, në përputhje me aktet ligjore. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet, pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Baza e tatueshme në këtë rast llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, (vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se cmimi minimal fiskal), dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të rregjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Në zbatim të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlërësuar, për të cilën është paguar tatimi.

Tatimi mbi të ardhurat që rrjedhin nga dhënia me qera e një pasurie të paluajtshme (tatimi në burim)

Tatimi në burim prej 15% aplikohet mbi shumën bruto të pagesës për të ardhurat që vijnë nga dhënia me qera e pasurive të paluajtshme. Tatimi në burim duhet të paguhet jo më vonë se në ditën e 20-të të muajit pasardhës të muajit të pagesës. Paguesi i shumave është i detyruar të mbajë regjistrime për llogaritjen dhe mbajtjen e tatimit në burim për çdo përfitues të ardhurash dhe t’i vërë ato në dispozicion të organeve tatimore dhe të personit përfitues të të ardhurave, për të cilin është bërë pagesa.