Emetimet e gazrave serë
janë njohur si një nga shkaktarët kryesorë të fenomeneve të ngrohjes globale.
Ndërtimet përbëjnë më shumë se 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë dhe
36% të emetimeve të përgjithshme të dioksidit te karbonit në Evropë. Studimet e
fundit tregojnë se strehimi është një nga sektorët më të rëndësishëm, përgjegjës për ndikimet ekologjike botërore.
Ndryshimi i klimës rrit
frekuencën dhe intensitetin e fatkeqësive natyrore, shpërthimet e sëmundjeve
dhe krizat njerëzore si varfëria, uria, migrimi masiv dhe lufta. Sipas një
studimi të kohëve të fundit, nëse njerëzimi nuk redukton ndjeshëm emetimet
e dioksidit te karbonit [CO2 ],
deri në fund të shekullit, shanset për një ngjarje të nivelit apokaliptik mund
të jenë nga 1 në 20.[1]
Duke marrë parasysh fenomenin e ngrohjes globale dhe nevojën për të reduktuar
shkaqet dhe efektet e saj, qasja ndaj ndërtimeve me eficencë energjitike është
bërë gjithnjë e më e rëndësishme. Gjithashtu, ndryshimet e dukshme të
temperaturave si rezultat i ngrohjes globale rezultojnë në konsum më të lartë
të energjisë për të ruajtur temperaturë të qëndrushme nëpër banesa, duke i bërë
ndërtimet me eficensë të lartë energjitike një alternativë e detyrueshme për të
mos përkeqësuar situatën mjedisore.
Ndërtesat me eficensë
të lartë energjitike kombinojnë përdorimin efikas të energjisë dhe prodhimin e
brendshëm të energjisë të rinovueshme në mënyrë që të mbulojnë konsumin e
energjisë së brendshme nga një ndërtesë për një periudhë të caktuar kohe
(përgjithësisht llogaritet për një periudhë një vjecare). Në thelb një ndërtesë
me eficense te larte energjitike është një ndërtim që gjeneron aq energji sa
shpenzon. Kur vjen fjala për gjenerimin e energjisë, burimet kryesore në ditët
tona janë dielli, era dhe burimet gjeotermeale.Kurse për sa i përket konsumit
të energjisë theksi bie mbi teknikat e ndërtimit inteligjent, materialet dhe
teknologjitë për të minimizuar humbjet e nxehtësisë dhe për të përmirësuar
efikasitetin e energjisë.
Arritja e eficensës
energjitike është një objektiv ambicioz dhe gjithnjë e më i prekshëm që po
fiton popullaritet kudo nëpër botë, si nga iniciativa e sektorit privat ashtu
edhe nga masat e marra nga Institucionet publike për të lehtësuar tranzicionin
drejt ndërtimit të këtyre ndërtesave.
Ndërtimet me zero
energji mund të jenë disa llojesh në varësi të bilancit të energjisë së
përdorur. Në rastet kur energjia e prodhuar nga ndërtesa është me e vogël se sa
energjia e konsumuar (psh 80% e konsumit të energjisë mbulohet nga energjia e
rinovueshme që prodhon vetë ndërtesa) do të konsiderohet se kemi të bëjmë me
një ndërtim me Energji Përafërsisht Zero.
Në rastet kur energjia e rinovueshme e prodhuar nga ndërtesa është në të
njejtin nivel me energjinë e konsumuar për një periudhë të caktuar, do të
konsiderohet si një ndërtesë me Zero
Energji. Gjithashtu në rast se ndërtesa prodhon me shumë energji të
rinovueshme se sa konsumon, dhe tepricat e kësaj energjie shpërndahen në rrjet,
do të konsiderohet se kemi të bëjmë me një ndërtim Plus Energji.
Parlamenit Europian
zhvilloi konceptin e ndërtimeve me Energji Përafërsisht Zero karakterizuar nga
kërkesë e ulët për energji nga burimet e jashtme dhe një prodhim i lartë i
energjisë së rinovueshme nga vetë ndërtesa. Në fakt, ndërtimet eficente në
energji janë një hap drejt synimit ambicioz për të ulur 80% të emetimeve të
karbonit në atmosferë deri në vitin 2050.
Në vitin 2007, liderët
e Bashkimit Evropian (BE) arritën në një vendim për të krijuar dhe zbatuar një
paketë synimesh të quajtur 20/20/20 "për të përmbushur objektivat e BE-së
për klimën dhe energjinë deri më 2020. Kjo do të thotë se deri në vitin 2020
duhet të arrihet një ulje prej 20% e shkarkimeve të gazrave serë në krahasim
me vitin 1990, duhet të rritet me 20%
pjesa e energjisë të konsumuar nga burimet e ripërtëritshme dhe të arrihet një
përmirësim prej 20% në efikasitetin e energjisë në krahasim me Standartin
ekzistues të eficenës energjitike {Business as Usual, (BaU)}. Ndërtesat janë
përgjegjëse për 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë dhe 36% të
emetimeve të CO2 në BE, prandaj ato luajnë një rol kyç në arritjen e qëllimeve
të qëndrueshmërisë së BE-së. Stoku aktual i ndërtesave gjithashtu ofron
potencialin më të madh të kursimeve krahasuar me sektorët e tjerë Zhvillimi dhe
miratimi i koncepteve të ndërtimit të energjisë efikase nuk është një praktikë
e re në BE. Duke qenë se synimet e qëndrueshmërisë ne lidhje me nivelet e
ndotjes nuk janë arritur, shtetet anëtare evropiane po fillojnë të lëvizin nga
konceptet e ndërtimit të energjisë së ulët ose të Passivhaus drejt një koncepti
të ndërtimit të banesave me pothuajse energji zero (nENZ). Nga vendet anëtare
do të kërkohet që ndërtesat e reja të ndërtohen si nENZ nga 31 dhjetori i vitit
2020 dhe të gjitha ndërtesat e në pronësi ose në përdorim të autoriteteve
publike duhet të përshaten me kriteret e ndërtimeve me energji thuajse zero
duke nisur nga 31 dhjetori i vitit 2018.
Kjo do të thotë që
ndërtimet nENZ do të kenë së shpejti një kërkesë të lartë. Megjithëse
teknologjia dhe mjetet për të arritur statusin optimal me pothuajse zero-
energji tashme ekziston, procesi i tranzicionit paraqet sfidat e veta e si
rrjedhoje terreni duhet të përgatitet paraprakisht nga vendet e BE. Përgatitja
përfshin çdo gjë, nga adaptimi i industrisë së ndërtimeve deri në përcaktimin e
përkufizimeve, parimeve te llogaritjes, regulloreve, iniciativave qeveritare
dhe detajeve te tjera të nevojshme për të krijuar një strukturë të qëndrueshme
për një tranzicion të lehtë.
Shtetet anëtarë do të
duhet të prodhojnë raporte të detajuar progresi cdo 3 vjet, mbi bazën e të
cilave Komisioni Europian do të vendosë nëse progresi po lëviz me shpejtësinë e
nevojshme, ose në të kundërt do të udhëzojë shtetet europiane të marrin masa
shtesë për të shtuar efikasitetin.
Duke qenë se koncepti i
ndërtimeve me energji neto zero (nENZ) do të implementohet në të gjitha shtetet
anëtare, është e nevojshme të vlerësohen kushtet e ndryshme klimaterike. Kjo do
të thotë që zgjedhje më strikte lidhur me eficencën energjitike duhet të
aplikohen në vende me klimë më të ftohtë në mënyrë që të shfaqet performancë e
ngjashme energjitike me vendet më të ngrohta.
- Avantazhet
e ndërtimeve me zero energji.
Megjithëse kanë një
kosto më të lartë ndërtimi ndërtesat me energji zero kanë një numër avantazhesh
në këndvështrimin afatgjatë.
- Faturat e Energjisë
Kursimi në faturat e
energjisë është një nga përfitimet kryesore, dhe arsyeja që motivon shumë
njerëz për të ndërtuar banesa të Energjisë Neto Zero. Shtëpitë me Energji Neto
Zero nuk do të kërkojnë energji nga rrjeti energjetik.
Në fakt, disa shtëpi të
ndertuara mbi bazen e konceptit te Energjise Neto Zero, janë projektuar në
mënyrë që të mbulojnë jo vetëm furnizimin me energji për konsum të brendshëm,
por të jenë në gjendje të kthejnë edhe
energji të pastër përsëri në rrjet. Pronarët e shtëpive paguhen në përputhje me
kontributet e tyre. Shumica e pronarëve të shtëpive zgjedhin të qëndrojnë të
lidhur në rrjet për një tarifë minimale mujore në rast të situatave emergjente;
megjithatë, disa banorë e shohin këtë të panevojshme. Kthimi i investimit për
të bërë një shtëpi me Energji Neto Zero
është më i dukshëm në këtë përfitim, pasi është një investim që kthehet në
mënyrë afatgjatë. Implementimi i kësaj teknologjie ul koston e përgjithshme të
mirëmbajtjes së një prone, për shkak të përmirësimit të efiçiencës së energjisë
duke sjellë padiskutim edhe zvogëlim të dukshëm
të kostos së jetesës
- Rrit
Vlerën e Pronës.
Tregu i pasurive të
paluajtshme ndikohet dukshëm nga tendecat e reja, dhe me rritjen e
popullaritetit të shtëpive të Energjisë Neto Zero, do të rritet edhe vlera e
tyre e rishitjes. Blerësit janë të vetëdijshëm se do të kursejnë vazhdimisht në
faturat e energjisë dhe kështu janë të gatshëm për të investuar në një shtëpi
të Energjisë Neto Zero. Kjo vjen edhe sepse jo gjithkush mund të ketë kohë,
durim ose gatishmëri për të qenë pjesë e procesit të ndërtimit dhe thjesht do
të preferonte blerjen e një shtëpie me energji Neto Zero. Koha, përpjekja dhe
vlera që vihet në ndërtimim kompensohet në çmimin e përfituar nga pronarët
origjinalë, nëse ata zgjedhin të shesin shtëpinë e tyre me ENZ. Ndër të tjera
vlera e një ndërtese të Energjisë Neto Zero në lidhje me ndërtimet e ngjashëm
në tregun e pasurive imobiliare do të rritet sa herë rritet kostoja e
energjisë. Kufizimet e ardhshme legjislative, dhe taksat qe lidhen me emetimin
e karbonit në ajër, që priten të implementohen nga legjislacionet e vendeve të
BE dhe jo vetëm, mund të ndikojnë negativisht vlerën e ndërtimeve të zakonshme.
- Një
hapsirë e rehatshme për të jetuar.
Jetesa ne nje shtepi me
Energji Neto Zero ka një karakteristikë dominuese- cilësia e jetesës është e pakrahasueshme. Kjo ndodh për shkak të
cilësisë së ajrit të brendshëm, temperaturave të brendshme të qëndrueshme dhe
me shpërndarje uniforme, si dhe izolimit akustik nga zhurmat e jashtme . Në
qytet e zhurmshëm dhe plot ndotje sigurimi i një ambienti të tillë për të
jetuar dhe punuar është tejet i rëndësishëm.
Gjithashtu shtëpite me Energji Neto Zero kanë impakt më
të ulët mjedisor, kosto më të ulëta
operative dhe mirëmbajtjeje, si dhe rezistencë më të mirë ndaj ndërprerjeve të energjisë dhe fatkeqësive natyrore. Por
ekzistojnë edhe disavantazhe për këto banesa të cilët përfshijnë:
- Kosto fillestare e ndërtimit është
më e lartë
- Shumë
pak dizenjues dhe ndërtues kanë aftësitë e nevojshme profesionale dhe
eksperiencën për të realizuar një ndërtim ENZ
- Ndryshimet klimaterike qe
shkaktohen nga ngrohja globale limitojnë aftësinë e ndërtesës ti
përshtatet rritjes ose uljes së paparashikuar të temperaturave. Ndërtesat
me energji neto zero janë të ndërtuara në mënyrë që ti përshtaten kushteve
klimaterike specifike të një vendi, dhe ndryshimet drastike të
temperaturave janë rrezik për mirëfunksionimin e tyre.
Arritja e standarteve
te Energjisë Neto Zero në ndërtimet e reja ose rinovimet e ndërtimeve
ekzistuese mund të arrihet duke kombinuar përmirësime të ndryshme, përfshirë
këtu dizajnin e integruar të ambienteve, përshtatjet për furnizim me energji të
rinovueshme si dhe përmirësimet me qëllim ruajtjen e energjisë.
- Cilët janë
elementët kryesorë për të pajisur një shtëpi sipas standarteve te
Energjisë Neto Zero.
Me një përshtatje
efikase të përdorimi të paneleve diellore fotovoltaike dhe ngrohjes dhe ftohjes
gjeotermale, e kombinuar me super izolimin (muret prej betoni të izoluar,
xhamat e trefishtë etj) dhe sistem
ventilimi, këto ndërtesa konsumojnë më pak energji se sa prodhojnë. Sistemet e
përshkruara më poshtë punojnë së bashku për ta bërë shtëpinë e së ardhmes një
realitet.
Ø Panelet Diellore Fotovoltaike
Duke u pozicionuar në
çatinë jugore të ndërtesës, një sistem zakonisht 8 kilovat, do të prodhojë të
gjithe energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat e një familjeje mesatare.
Në shumë vende përmes një kontrate mes pronarëve të ndërtimeve efikase në
energji dhe kompanive të shërbimeve energjitike, i mundësohet pronarëve të
shtëpive që të mbulojë kërkesat për energji nëpërmjet paneleve diellore gjatë
ditës dhe të marrë energji nga rrjeti gjatë natës.Përmes matjes “neto” kompania
e shërbimeve energjitike mat konsumin neto të energjisë elekrike gjatë një
viti, për faturimin përfundimtar. Nëse nga matjet rezulton se ndërtesa ka
prodhuar më tepër energji se sa ka konsumuar, e si rezultat një pjesë e kësaj
energjie është kthyer automatikisht në rrjet për tu rishpërndarë, kompania e
shërbimeve energjitike do të paguajë për çdo energji të tepërt të prodhuar gjatë
vitit (me çmime të shitjes me shumicë).
Ø Ngrohje dhe ftohje gjeotermale
Për shkak të
efikasitetit të jashtëzakonshëm që mund të fitohet duke përdorur temperaturat
konstante të tokës, një pompë gjeothermale, e quajtur ndryshe pompë ngrohjeje e
burimit të tokës (GSHP) siguron të gjitha nevojat për ngrohje dhe ftohje të një
ndërtese, dhe kërkon shumë më pak energji elektrike sesa sistemet më
konvencionale.
Një pompë ngrohëse
gjeotermale është një sistem ngrohje qendrore dhe/ose ftohje që transferon
nxehtësinë nga toka. Kjo pompë e përdor
tokën gjatë gjithë kohës, pa ndonjë ndërprerje, si një burim ngrohje (në dimër)
ose një përthithës nxehtësie (në verë). Ky dizajn shfrytëzon temperaturat e
moderuara në brendësi të tokës për të rritur efikasitetin dhe për të zvogëluar
kostot operacionale të sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes dhe nëse kombinohet me
panelet diellore mund të formojë një sistem gjeosolar me efikasitet edhe më të
madh.
Në varësi të
koordinatave gjeografike, temperatura nën sipërfaqen e sipërme 6 metra të Tokës
mban një temperaturë pothuajse konstante midis 10 dhe 16°C Ashtu si frigoriferi
ose kondicioneri, këto sisteme përdorin pompën e nxehtësisë për të mundësuar
transferimin e nxehtësisë nga toka. Pompat e nxehtësisë mund të transferojnë nxehtësi
nga një hapësirë e ftohtë në një hapësirë të ngrohtë, kundër drejtimit
natyror të rrjedhjes, ose mund të rrisin rrjedhën natyrore të nxehtësisë nga
një zonë e ngrohtë në një të ftohtë. Pompat e nxehtësisë nga burimet ajrore
zakonisht janë më efikase në ngrohje se sa ngrohësit e pastër elektrikë. Një
pompë ngrohëse gjeotermale shkëmben nxehtësi me tokën, duke rezultuar shumë më
efikase se pompat e zakonshme sepse temperaturat nëntokësore janë më të
qëndrueshme se temperaturat e ajrit gjatë vitit. Ndryshimet sezonale nuk
ndjehen me thellësi dhe zhduken tërrësisht në thellësinë nën 7 metra deri në 12
metra për shkak të inercisë termike. Ashtu si në një shpellë, temperatura në
shtresën e cekët të tokës është më e ngrohtë se ajri sipër gjatë dimrit dhe më
e freskët se ajri në verë. Një pompë ngrohje e burimit të tokës, thith
nxehtësinë në dimër (për ngrohje) dhe transferon nxehtësinë përsëri në tokë
gjatë verës. Disa sisteme janë projektuar për të vepruar vetëm në një regjim,
ngrohje ose ftohje, në varësi të klimës.
Ø Super Izolimi dhe Dritaret me
Efikasitet të lartë.
Tradicionalisht,
dritaret kanë qenë hallka më e dobët e zinxhirit të efiçiencës së energjisë në
një ndërtesë. Fitimi dhe humbja e nxehtësisë përmes dritareve është përgjegjëse
për 25% -30% të shpenzimit të energjisë në një ndërtesë. Izolimi i një shtëpie,
mureve dhe dritareve do të rezultojë shumë fitimprurëse në një këndvështrim
afatgjatë. Zgjedhja e dritareve është
mjaft e rëndësishme. Këshillohet që në klimat e ftohta të zgjidhen dritare të
mbushura me gaz me veshje të pakta për të zvogëluar humbjen e nxehtësisë. Në
klimat e ngrohta është e këshillueshme të zgjidhen dritaret me shtresa për të
zvogëluar fitimin e nxehtësisë. Dritaret me një U-faktor të ulët ofrojnë
rezistencë më të mirë termike në klimat e ftohta. Faktori U është shkalla në të cilën një dritare lejon rrjedhjen e
nxehtësisë jo-diellore. Në klimat e ngrohta këshillohen dritare me një
koeficient të ulët të ngrohjes diellore (SHGC). SHGC është masa e rrezatimit diellor të asimiluar përmes një dritareje.
SHGC-të e ulëta zvogëlojnë fitimin e nxehtësisë. Për vendet me klima të buta,
me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë këshillohen dritare me faktor U dhe SHGC
të ulët, për të maksimizuar kursimin e energjisë.
Për efikasitet optimal
të energjisë, një ndërtesë duhet të jetë e izoluar siç duhet nga çatia deri në
themel, përfshirë këtu dyshemetë. Një sistem i mirëfilltë termoizolimi synon
arritjen e një temperature të duhur jo vetem të ajrit por edhe të mureve,
dyshemeve dhe tavaneve. Sistemi termoizolues është sistem i përshtatshëm për
veshjen e fasadave të jashtme të ndërtesave të reja dhe të vjetra. Izolimi mund
të bëhet në disa mënyra, përfshirë izolim bituminoz, Pllakat termo-izoluese,
izolim polisteroli etj.
Ø Sistemi i Ventilimit për Rikuperimin
e Nxehtësisë.
Sistemet e zakonshme të
ventilimit (Sistemet e Ajrit të Kondicionuar etj) janë problematik pasi rritin
kostot e ngrohjes dhe ftohjes ndërsa ulin komfortin e brendshëm të një
banese. Ashtu sikur ndodh me ajrimin e
një dhome duke hapur një dritare, sistemet e ventilimit mund të dëmtojnë performancën
e energjisë sepse ato nxjerrin ajrin pa ruajtur nxehtësinë. Sistemet e
ventilimit Për Rikuperimin e Nxehtësisë, përdoren për të "ripërdorur"
energjinë nga ajri i nxehtë, energji që humbet tërrësisht në shtëpitë
konvencionale. Sistemi i ventilimit për Rikuperimin e Nxehtësisë gjithashtu
siguron cilësi të qëndrueshme të ajrit, si një përfitim shtesë.
Për sa më sipër
shtëpitë me zero energji janë një arritje e teknologjisë së ndërtimit, me
përfitime ekonomike për pronarin dhe përfitime afatgjata për mjedisin.Cdo brez
lë shenjën e tij në histori, por duke gjykuar nga burime të sigurta ne po lëmë
një shenjë masive karboni, duke kontribuar në mënyrë të pamëshirshme në plakjen
e tokës. Me shtimin e luhatjeve klimaterike, rritjen e nivelit të oqeaneve dhe
numrit te specieve të tëra që kanë shkuar në zhdukje, vdekshmërisë për shkak të
thatësirave etj, është vetëm çështje kohe para se vendet e privilegjuara, si
kontribueset më të mëdha të ndotjes mjedisore, të kuptojnë se borxhi ndaj
planetit do t”i kushtojë shtrenjtë gjithë racës njerëzore, dhe është i
panegociueshëm.
Shtëpitë e energjisë
zero mund të jenë më të vështira për t’u realizuar se sa ndërtesat e zakonshme,
dhe përfitimet si në sferën infividuale ashtu në atë globale kërkojnë kohën e
tyre për tu pjekur dhe për të dhënë fryte, por janë një rrugë e domosdoshme për
të kontibuar në këtë kauzë të madhe që e përfshin gjithë njerëzimin. Në kushtet
ku bota që njohim po shfaq shenjat e para të sëmundjes globale, si rezultat i
një keqtrajtimi sistematik te resurseve natyrore, është detyrë morale e
gjithësecilit të kontribojë në pakësimin e shkaqeve që sjellin ndotje mjedisore.
*****
[1] Well BeloW
2°C: Mitigation strategies for avoiding dangerous to catastrophic climate
changes,” Yangyang Xua, and Veerabhadran Ramanathanb.