"Toka
bujqësore" qe si e tille figuron ne regjistrat kadastrale te shtetit
është
sipërfaqja e tokës, e zëne me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtat,
kudo ku ndodhet dhe që ka veçori thelbësore te saj pjellorinë. Sipërfaqja
totale e tokës bujqësore në Republikën e Shqipërisë zë rreth 24% (ose rreth
699,000 hektarë) të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Shqipëria është vend
me mundësi të konsiderueshme sa i përket
kushteve të tokës, të klimës, numrit të ditëve me diell, pasurive ujore dhe
potencialit njerëzor në zonat rurale. Të gjitha sa përmendëm janë faktorë të
rëndësishëm që vërtetojnë potencialet e ekonomisë bujqësore në vend. Popullsia
rurale në Shqipëri përbën mbi 50 % të popullsisë totale, ku një numër i
konsiderueshëm njerëzish është i punësuar në aktivitetin bujqësor. Sipas
statistikave të INSTAT,ne Shqiperi ka aktualisht
350,000 ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të
përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me
një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Në sektorin e mekanizimit, ku 350,000
fermave u përgjigjen vetëm 20, 600 mjete. Toka bujqësore është 700 mijë
hektarë, 80% e së cilës[1],
është ndarë me ligjin nr.7051 datë
19.7.1991 “PËR TOKËN” edhe 130,000 hektarë janë tokë bujqësore në pronësi të
shtetit.Megjithate, një pjesë e madhe e kësaj toke nuk është bujqësore, për shkak të një numri të madh
ndërtimesh pa leje. [2]
Pavarësisht se bujqësia
konsiderohet si motor ekonomik në vendin tonë dhe gati gjysma e popullsisë shqiptare është e
punësuar në këtë sektor, ajo përbën rreth 18 % të GDP-së. Megjithë forcën
punëtore dhe potencialin agrikulturor jemi vendi që eksporton më pak prodhime
bujqesore në rajon. Bujqit shqiptarë vuajnë cdo ditë një realitet ekonomik të
ashpër, ku për shkak të organizimit të mangët dhe politikave të dobëta
shtetërore produktet nuk gjejnë kërkesë dhe as nuk munden të plotësojnë tregun.
Disa nga arsyet kryesore të kësaj gjendjeje kanë të bëjnë me sipërfaqen e vogël
të fermave, cilësinë e ulët të tokës
bujqësore (vetëm 22% e tokës është e ujitur megjithëse mundësitë e ujitjes janë
për 70% të sipërfaqes totale), nivelin e ulët të përdorimit të plehrave kimike,
distancat e mëdha ndërmjet fermave, dhe distancat e mëdha nga zonat urbane.
Raporti eksport- import në sektorin agro ushqimor për vitin 2018 ishte
1:8.
Pergjatë 2 dekadave te
fundit, ekonomia shqipetare është
transformuar nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një ekonomi të dominuar nga
shërbimet. Ky transformim ka ndodhur pjesërisht si pasojë e ndryshimeve
politike në vend, hapjes së kufijve, dhe rritjes së importit te produkteve
agroushqimore, gjë që solli në vecanti një rënie të prodhimit vendas.
Gjithashtu, parë në raport me ekonomitë bujqësore të vendeve fqinje, sektori
bujqësor në Shqipëri mbetet ende i pazhvilluar në dhe me një infrastrukurë të
pamjaftueshme bashkëkohore që është e domosdoshme për të përballuar në cilësi
kosto dhe volum kerkesat e tregut vendas dhe atij rajonal. Përveç arsyeve të
mësipërme, ndryshimet legjislative të lidhura me trojet dhe tokën
bujqësore në vitet 90 të cilat cuan në
një copëzim të tokës bujqësore për frymë, financimet e kufizura dhe politikat
fragmentare të zhvillimit bujqesor e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm
afatgjatë të sektorit. Megjithëse ekziston një tendencë pozitive për
konsolidimin e fermave, konkurueshmëria e sektorit të bujqësisë është ndikuar
negativisht nga sipërfaqja e vogël e fermave bujqësore. Fermat në Shqipëri janë
kryesisht ferma te subsistencës (vetë-mbajtjes) dhe shumica e produkteve bujqësore
janë të destinuara për konsum vetjak. Mes fermerëve ekziston një mungesë
tradite si dhe dëshirë e kufizuar për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Numri i
grupeve të prodhuesve dhe shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (kooperativave)
deri tani ka qenë i vogël pavarësisht përpjekjeve të disa donatorëve për të
nxitur bashkëpunimin mes fermerëve lidhur me veprimtaritë e furnizimit dhe
marketing-ut. Rezulton se aktualisht
fermat në Shqipëri kërkojnë intensitet të lartë pune ndërkohë që niveli i
përparimit teknologjik është i ulët. Një përqindje e lartë e fermave kanë
mekanizim të vjetruar, si dhe ambiente ruajtje të papërshtatshme. Intensiteti i
ulët i kthimit të kapitalit nga prodhimi bujqesor ka rezultuar në produktivitet
të ulët, kosto prodhimi relativisht të larta, cilësi të ulët, humbje dhe fitime
të pakta. Përmbushja e standardeve mjedisore, sigurisë ushqimore dhe mirëqenies
së kafshëve vazhdon të jetë e ulët. Një përqindje e lartë e fermave bujqësore
nuk arrin t’i përmbushë këto standarde si pasojë e burimeve financiare të
kufizuara për të përmirësuar ambientet apo teknologjitë si dhe e mungesës së
ndërgjegjësimit apo njohurive të këtyre standardeve
Përpunimi i prodhimeve
agro ushqimore është një problem tjetër aktual. Përpunimi ushqimor është një
sektor ekonomik relativisht i vogël në Shqipëri. Në industrinë e përpunimit
ushqimor operojnë përafërsisht 2000 kompani, 95% e të cilave janë
mikrosipërmarrje. Industritë më të rëndësishme të përpunimit ushqimor në
Shqipëri janë prodhimi i miellit dhe i bukës, prodhimi i pijeve jo-alkoolike,
si dhe përpunimi i mishit dhe qumështit. Zhvillimi i sektorit të përpunimit
ushqimor në Shqipëri është i kufizuar nga një numër faktorësh, disa prej të
cilave lidhen me pamjaftueshmërinë e lëndës së parë, mungesën e homogjenitetit
në lidhje më sasinë dhe cilësinë e saj, integrimin jo të zhvilluar vertikal mes
prodhuesve të lëndës së parë dhe industrisë përpunuese, mungesën e burimeve për
përmirësimin e cilësisë përmes futjes në përdorim të sistemeve të cilësisë dhe
sigurisë ushqimore. Futja në përdorim e sistemeve të cilësisë dhe sigurisë
ushqimore ka filluar, por deri tani vetëm në kompanitë e mëdha të përpunimit.
Investimet për përmbushjen e standardeve të mbrojtjes mjedisore dhe trajtimit
të mbetjeve janë të pakta për momentin.Në mënyrë të ngjashme me prodhimin
primar, rritja e sektorit të prodhimit ushqimor pengohet nga burimet e
brendshme të kufizuara të sipërmarrësve dhe vështirësia e tyre për huamarrje.
Për më tepër, Shqipëria
përballet me një sfidë domethënëse për sa i përket mbështetjes së bizneseve
private gjatë adaptimit të teknologjive më të sofistikuara që nevojiten për të
arritur standardet dhe rregullat e BE. Ndërkohë që autoritetet arrijnë progres
duke prezantuar rregullat dhe standardet e reja të BE, ka një nevojë jo vetëm
për të përmirësuar implementimin e tyre nga ana e sektorit publik, por edhe për
të krijuar një ambient i cili lejon firmat private që të marrin njohuritë e
nevojshme teknike për t‘ju përshtatur me këto kërkesa. Eksportuesit Shqiptar
janë të renditur në fund të tregut global, duke u përfshirë vetëm në procese përpunimi
dhe me pak vlerë të shtuar ndaj produktit.
Gjithashtu
infrastruktura e vaditjes e cila është jetësore për të forcuar avantazhin
konkurrues të sektorit të bujqësisë
mbetet në kushte të dobta dhe duhet të adaptohet me kushtet e ndryshimit
klimaterik. Ndërkohë që Shqipëria ka reshje të shumta vjetore, më pak se 20
përqind e këtyre rreshjeve ndodhin gjatë periudhës nga Prilli në Shtator çka e
bën vaditjen të nevojshme për të mbjellat e verës dhe ato vjetore. Mbrojtja nga
përmbytjet është gjithashtu e rëndësishme për bujqësinë, veçanërisht në
ultësirat bregdetare.
Ndër problematika të
tjera do të përmendim gjithashtu koston shumë të lartë e prodhimit bujqësor,
dhe gjithashtu mungesën totale të Shërbimeve dhe e Infrastrukturës Financiare
Rurale, i cili është faktor frenues për zhvillimin e bujqësisë dhe atij rural
në përgjithësi.
Pavarësisht nga
problematikat, Shqipëria mbetet nje vend me
një potencial të madh bujqësor, dhe ky sektor po merr një vëmendje nga
operatorë vendas dhe të huaj, përmes granteve dhe favorizimeve për ti siguruar
bujqve shqiptarë mundësi konkurrimi me vendet fqinje.
Sic dihet, përgjate
viteve 90, dhe ndryshimeve te rendesishme ne sistemin qeverises te vendit ,
pjesa më e madhe e tokave buqësore kaluan në pronësi private. Kjo u realizua me
anë të Ligjit nr.7501/91 “Për Tokën”, një ligj i cili gjeti dhe vazhdon të hasë
shumë kundërshti për shkak se ne shkalle te gjerë konceptohet si antikushtetues
duke qenë se nuk mori parasysh pro,. Ne vitin 1938 Shqiperia kishte 250.000 ha
toke bujqesore, ndersa ne vitin 1990 kishte 750.000 ha toke bujqesore, pra
500.000 ha me shume . Toka bujqësore iu nda anëtarëve të familjeve bujqësore,
pa i marrë parasysh pronarët e parashtetëzimit duke u bazuar teresisht ne
parimin se “toka i takon atij qe e punon” dhe jo pronarit te ligjshem te saj
dhe shkaktoi në vend si rezultat një situatë kaotike e cila vazhdon edhe sot.
Legjislacioni ynë me
ligjin Nr.8337, datë 30.4.1998 “ Per Kalimin ne Pronesi te Tokes Bujqesore,
Pyjore, Livadheve dhe Kullotave” lejon transferimin e lirë të pronësisë mbi
tokat buqësore private, përvec për personat fizikë dhe juridikë të huaj. Personat
fizikë dhe juridikë të huaj gëzojnë të drejtën e marrjes së tokës me qira deri
në 99 vjet. Dhënia me qira e tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave
bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil.
Shteti ynë është
përpjekur të fazorizojë kalimin e pronësisë së tokave bujqësore, dhe të kufizojë
transferimin për qëllim të ndryshimit të destinacionit të tokës. Me rëndëi për
të përmendur janë ndryshimet lidhur me tatimin e kalimit të pronësisë , ku
specifikohet se personat që shesin tokë bujqësore, të cilën e kanë përfituar me
ligjin nr.7501/91 do të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin.[3] I vetmi kusht për të përfituar përjashtimin
nga 15% e tatimit është fakti se kjo tokë duhet të mbetet bujqësore dhe jo të
përdoret për truall.Gjithashtu, nuk do të paguhet tatim fitimi as në momentin
që kryhet kalimi i titullit te pasurisë brenda familjes burrë, grua, fëmijë në
momentin që toka është fituar me ligjin nr.7501/1991. Gjithashtu paketa e re
fiskale sjell nje lehtësim për sektorin e agroturizmit, reduktimin e TVSH-së
prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera, që
ofrohen nga subjekti i licensuar agroturistik. Ferma që do të ketë edhe
struktura akomoduese do të përfitojë Tatim mbi Vlerën e Shtuar po 6% edhe për
mallrat që merr furnizim.
Gjithashtu pervec
kalimit te pronësisë një investitor potencial mund të marrë me qira tokë
bujqësore në pronësi të shtetit në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve
të VKM nr. 373, Datë 20.6.2018 “ Për Përcaktimin e Kritereve, të Rregullave,
Procedurave dhe Kontratës Tip Për Dhënien Me Qira Të Tokave Bujqësore Në
Pronësi Të Shtetit”. Sipas këtij vendimi, Tokat bujqësore në pronësi të shtetit
jepen me qira për afate kohore, si më poshtë vijon: a) Deri në 10 vjet, kur
destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative;
b) Deri në 30 vjet, kur
destinohen për: i. krijimin dhe kultivimin e vreshtave; ii. krijim pemëtoresh
me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje
kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik; iii. ndërtim serrash e kultivim të
bimëve në to; iv. fidanishte.
c) Deri në 99 vjet,
kur: i. destinohen për krijim ullishtash; ii. destinohen për krijim pemëtoresh
me drufrutorë, si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të
cilave përkon me këtë kohëzgjatje;
Janë një sërë grantesh
dhe mundësish për një investues në bujqësi në Republikën e Shqipërisë. Do të
përmendim si një risi të sukseshme pjesëmarrjen e Shqipërisë në një program të
hapur europian për mbështetjen e bujqësisë, programin Ipard II, i cili ka për qëllim
financimin e subjekteve për periudhën 2014-2020 në zinxhirin nga ferma deri tek
agropërpunimi dhe zhvillimin e zonave rurale vendase me me buxhet ndihmës me
total prej 71 milionë euro. Ky program mbështet disa fusha të bujqësisë si
- Investime në asetet fizike në fermat
bujqësore;
- Investime në asetet
fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit;
- Diversifikimi fermës
dhe zhvillimi biznesit;
- Asistenca
teknike;
Pët tu kualifikuar për
të qenë pjesë e këtij programi Investimet duhet të kryhen në territorin e
Republikës së Shqipërisë. Aplikuesit duhet të kenë mjete të mjaftueshme
financiare për të financuar pjesërisht investimin. Ata duhet të dorëzojnë të
gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara sipas formularëve përkatës si dhe nje
Plan Biznesi. Aplikuesit duhet të jenë pronarë të tokës apo ndërtesave ku ushtrohet
aktiviteti bujqësor brenda territorit shqiptar ose ta kenë tokën me qira 10 vjeçare. Pajisjet dhe makineritë
duhet të jenë të reja dhe të respektojnë rregullin e origjinës. Në varësi të
masës, aplikantët duhet të bashkëfinancojnë 30%, 40% deri në 50% të totalit të
investimit.
Kuadri i ri ligjor si
dhe infrastruktura e nevojshme per suportin financiar te projekteve
agrikulturore shqipetare pritet te
ndikojnë pozitivisht në sektorin e bujqësisë
dhe padyshim te ndikojne ne rritjen e cilësisë se prodhimeve agro
ushqimore shqiptare.
Ka një numër arsyesh
përse një investitor mund të zgjedhë sektorin e agrobiznesit në Shqipëri,
listuar më poshtë:
- Ka një kërkesë në rritje për produkte
bio, në vend edhe jashtë. Shqipëria ka kushte të shkëlqyera për kultivimin e
produkteve bio, por ndër të tjera ka një numër produktesh specifike shqiptare
si p.sh. grupi i agrumeve, grupi i frutorëve, gjithashtu mund te permendim
produkte specifike si boronica, bimet medicinale etje. Këto produkte gjejnë
kërkesë të gjerë në rajon e më tej, dhe ofrojnë një mundësi investimi
fitimprurës për cdo investitor.
- Shqipëria ka një vendndodhje të
shkëlqyer gjeografike, mjaft të përshtatshme për eksportet dhe vendosjen e
kontakteve ekonomike me vendet e rajonit. Me një popullsi prej 3.2 milion
banorë, Shqipëria gjendet në Ballkanin Perëndimor dhe gëzon një vendndodhje
gjeografike të favorshme në Evropën Juglindore si dhe burime natyrore me vlerë.
Përveç kushteve shumë të favorshme natyrore shqipëria ka një pozicion të
përshtatshëm gjeografik, për fakt të distancës shumë të favorshme me ekonomi
shumë më të zhvilluara (Greqia, Italia, etj), të cilat janë të rëndësishme për
shkak të partneritetit tregtar, si bujtëse të emigrantëve shqiptarë dhe si
burime investimesh, Me politikat e duhura shtetërore produktet agroushqimore
mund te gjejnë një treg shumë më të gjerë se sa tregu vendas.
- Aktualisht agrobiznesi është një nga
tregjet më pak të specializuar në Shqipëri, karakterizuar kryesisht nga
investitorë të vegjël. Investimi në teknologjinë e duhur dhe fokusi në
produktet me kërkesë të lartë në treg siguron një performancë të mirë në një
treg ku konkurrenca është relativisht e ulët.
- Krahu i sigurt i punës. Një pjesë e
madhe e popullsisë shqiptare është e vendosur në zonat rurale, dhe kanë burim
ekonomik të vetëm bujqësinë, si rrjedhojë sigurimi i punonjësve të përshtatshëm
nuk do të shpaloste problem për një investitor.
Për gjithë sa më sipër bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit në Shqipëri. Potenciali bujqësor i Shqipërisë aktualisht, duke gjykuar nga rezultatet e deritanishme, nuk po shfrytëzohet në mënyrë e duhur, dhe nëse do të zbatoheshin politikat e duhura qeveritare në këtë sektor të lënë gjatë pas dore, duke nisur me përmirësimin e politikave lidhur me importet dhe eksportet, përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe kullimit, përmirësimi i zinxhirit të sigurisë ushqimore, rritja e konkurueshmërisë së produkteve bujqësore dhe lehtësimi i sigurimit të kapitalit për investime, investimet në tokat bujqësore do të ishin shumë të sukseshme dhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për vendin tonë.
[3] Këto ndryshime përfshihen në Ligjin
nr.39/2018, datë 09.07.2018 – Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438,
datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, botuar ne Fletoren Zyrtare
nr.134, datë 18.09.2018.