Projektligji “Për Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare 2020”.

Së fundmi qeveria ka marrë një iniciativë ligjvënese që lidhet me menaxhimin e integruar  të pasurive të paluajtshme që ndodhen në të vijën bregdetare në Shqipëri. Kjo iniciative është konkretizuar me projektligjin “Për Menaxhimin e Integruar të zonës bregdetare 2020”.
Ky ligj ka për qëllim:
a) Menaxhimin e integruar të zonës bregdetare të Republikës së Shqipërisë, për të realizuar mbrojtjen dhe përdorimin racional të territorit dhe të vlerave natyrore të zonës bregdetare;
b) Garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare në harmoni me planin e përgjithshëm kombëtar si dhe me planin sektorial kombëtar të turizmit nevojat urbanistike si dhe me veprimtaritë ekonomike dhe sociale që zhvillohen ose kanë ndikim mbi të;
c) Nxitjen e aktiviteteve dhe veprimtarive për mbrojtjen, administrimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit në zonën bregdetare;
d) Përcaktimin e institucioneve përgjegjëse, për administrimin dhe menaxhimin e zonës bregdetare  në të mirë të komunitetit dhe interesave socialë dhe ekonomikë të vendit.

Ky ligj gjen zbatim në të gjithë zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë të përkufizuar në ligjin në fjalë.Gjen zbatim gjithashtu në të gjitha ato zona, territore dhe objekte të cilat me veprimtarinë e tyre ndikojnë plotësisht ose pjesërisht në zonën e bregdetit shqiptar.  
Subjektet që rregullohen  nga projektligji janë pronarët e pasurive të paluajtshme, pronave private  e objekte të tjera të cilat ndodhen në zonën bregdetare.
Sipas Nenit 6, Menaxhim i integruar i zonës bregdetare konsiderohet procesi i zbatimit të koordinuar të politikave të ndryshme, të cilat kanë ndikim në zonën bregdetare. Këto politika përfshijnë planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e ndërtimeve, si dhe rregullimin e harmonizuar të veprimtarive ekonomike që zhvillohen apo kanë ndikim në zonën bregdetare.
Projektligji jep edhe definicionin e  donatorëve duke përcaktuar se  të tillë  janë të gjithë individët vendas ose të huaj, institucionet financiare dhe bankare, kombëtare dhe ndërkombëtare, publike apo private, të vendit dhe të huaja që financojnë projekte zhvillimi.

Sipas nenit 13, menaxhimi i zonës bregdetare do të bëhet nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit bazuar gjithmonë në vlerësimet e bëra nga Kominteti i Menaxhimit të Detit.  
Ky institucion do të ketë  kompetencë lidhur me: 
kryerjen e   inventarizimit të territorit të zonës bregdetare. 
organizimin, nxitjen dhe kontribuimin në projekte
aktivitetet dhe veprimtaritë që kanë për qëllim mbrojtjen, administrimin dhe rritjen e cilësisë së vlerave të peisazhit, burimeve natyrore si dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore në zonën bregdetare të Republikës së Shqipërisë.
  Kontrollin dhe  respektimin e kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet private/publike si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit.
Agjencia është përgjegjëse për dhënien me qira të sipërfaqeve të bregut të detit për kryerjen e aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme me karakter sportiv, kulturor etj. 
Organet e qeverisjes vendore duhet të bashkëpunojnë me AKB duke përcjellë të gjitha apilikimet për pajisje me leje zhvillimore me qëllim marrjen e miratimit nga AKB.Gjithashtu, ato kanë detyrë të informojnë AKB  për masat dhe sanksionet që janë marrë gjatë kontrollit të zhvillimeve në territorin bregdetar.

Sipas nenit 22/1,  pas hyrjes në fuqi të ligjit do të  ndalohet dhëniet e lejeve të ndërtimit ne zonat bregdetare  përvec investimeve  me karakter strategjik  dhe ndërtimeve për infrastrukturë publike.  Për ato objekte ndërtimore që kanë filluar  përpara hyrjes në fuqi të ligjit, do të bëhet verifikimi i dokumentacionit  dhe nëse ky i fundit rezulton të jetë lëshuar ne perputhje me ligjin,  leja e zhvillimit do të mbetet në fuqi deri në përfundim të afatit. 
Sipas nenit 23,  në rastin shitje e një prone private, shteti ka të drejtë për parablerjene përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara  me akte nënligjore.Gjithashtu,cdo hapësirë që  do të konsiderohet sipas ligjit si hapësirë me interes publik,do të shpronësohet në përputhje me ligjin .
 Pra, nëse pasuri të caktuara  do të bien në zona me përparësi turizmin, do të shpronësohen në favor të shtetit.Shpronësimi potencial   do të bëhet me çmimet që parashikon zëri kadastral i këtyre pronave.  

Nismetarët e këtij projekligji   parashikojnë  një efekt pozitiv sa i përket  investimeve të huaja dhe vendase në fushën e turizmit. Rritja e këtyre investimeve pritet të bëhet e dukshme  në një periudhë më afatgjatë pas miratimit të këtij ligji, periudhë në të cilat efektet e respektimit të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të integruar, do të ken filluar të jenë të identifikueshme, sa i përket planifikimit, impaktit në territor, nivelit dhe intensitetit të aktiviteteve, harmonisë së zhvillimit midis sektorëve, punësimit, edukimit etj. 

Ky ligj pritet të ndikojë në ruajtjen dhe rehabilitimin të vlerave kulturore dhe estetike, të peizazhit natyror, duke reduktuar efektet  negative  të  urbanizimit të paplanifikuar dhe të pakontrolluar,  të  cilat  kanë  denatyruar plazhet që i japin Shqipërisë origjinalitet në detin Adriatik dhe detin Jon.
Gjithashtu, përgatitja e dokumentave si plane menaxhimi dhe rrregullore, do të mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare ruajtjes dhe përdorimit racional të territorit të zonës bregdetare dhe të vlerave natyrore, mjedisore, kulturore, monumentale dhe turistike, me prioritet zhvillimin e qëndrueshëm në harmoni me bregun e detit.

Megjithatë, pavarësisht domosdoshmërisë për të pasur një kuadër të plotë ligjor lidhur me menaxhimin e planifikimit të bregdetit, një prej problematikave  kryesore është dhe mbetet përcaktimi i një kompesimi ligjor  transparent dhe të drejtë monetar për pronarët të cilët zotëronë prona private,  objekt shpronësimi si pasojë e implementimit nga ana e shtetit në bashkëpunim me donatorët, të projekteve që kanë për qëllim investime Strategjike në fushën e turizmit.