Flipping është një strategji investimi përmes të cilës një investitor blen pasuri të paluajtshme me një çmim të ulët dhe më pas kryen investime shtesë për përmirsimin e kushteve të pronës në mënyrë që ta rishesë atë në tregun imobiliar me një çmim më të lartë.

Flipping është një strategji investimi përmes të cilës një investitor blen pasuri të paluajtshme me një çmim të ulët dhe më pas kryen investime shtesë për përmirsimin e kushteve të pronës në mënyrë që ta rishesë atë  në tregun imobiliar me një çmim më të lartë.[1]  

Qëllimi kryesor i kësaj mënyre investimi është krijimi i të ardhurave nga diferenca e blerjes së një pasurie me çmim të ulët dhe shitja e saj me çmim më të lartë.Flipping mund të jetë një mënyrë jashtëzakonisht fitimprurëse duke pasur parasysh faktin që në treg ndodhen shumë pasuri të vjetra dhe të amortizuara të cilat e kanë të vështirë të shiten në atë gjendje. Në këtë mënyrë ato shiten me çmim shumë të leverdisshëm ndaj investitorëve të cilët janë të gatshëm ti blejnë,ti investojnë në mënyrë cilësore dhe ti rishesin në një moment të dytë me një çmim më të lartë.

Flipping është një formë e investimeve direkte te pasurive të paluajtshme dhe mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Ideja e përgjithshme është të gjesh një pasuri që është nënvlerësuar nga shumica e blerësve,ta blesh,ta përmirësosh në një mënyrë që të jetë tërheqëse për blerësit dhe më pas ta shesësh me atë çmim i cili të garanton  një marzh  të konsiderueshëm fitimi .

 

“Flipping” mund të konsiderohet si një biznes shumë fitimprurës vetëm nëse arrini të menaxhoni në mënyrën e duhur disa element thelbësorë të proçesit të blerjes dhe rishitjes së pasurisë objekt transaksioni.[2]

Së pari ,që investimi të jetë sa më shumë fitimprurës duhet të mundoheni të gjeni pronën e duhur me çmimin e duhur.Gjetja e prones ideale kërkon që të kesh burime të shumta të kërkimit të duhur të këtyre pronave.Investitorët “Flippers“ me përvojë kërkojnë prona që plotësojnë rregullin që ata e quajnë si rregulli i 70%-shit.Sipas këtij rregulli, Investitori që blen një pasuri dhe kryen rinovimet e nevojshme për ta rishitur, duhet të parashikojë që në çmimin e rishitjes së pasurisë  së rinovuar 70% e çmimit të jetë investimi për blerjen dhe rinovimin e saj dhe të paktën 30% duhet të jetë fitimi i ardhshëm.Për shembull, nëse një investitor që kërkon të shesë një pasuri të rinovuar me vlerë 100,000 euro,ai duhet të llogarisë që vlera e investimit të tij (blerje +shpenzime rinovimi)të mos e kalojë shumeën 70,000 euro, në mënyrë që të garantohet një fitim prej 30,000 euro.Ky rregull është thjesht një rregull i përgjithshëm për të bërë një vlerësim të shpejtë, jo një garanci e fitimeve.[3]

Fitimi nga kjo mënyrë investimi zakonisht rrjedh nga vlerësimi i duhur i çmimit hipotetik të rishitjes së pasurisë që rezulton nga indikatorët e tregut imobiliar.Për shembull, një investitor mund të blejë një shtëpi në gjendje jo të mirë në një lagje në zhvillim e cila ka potencial për të rritur 20-30% çmimin/m2 në 2-3 vitet e ardhshme si pasojë e përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve publike në zonë.Pas kryerjes së disa rinovimeve thelbësore,investitori mund ta hedhë pronën në treg me një çmim që reflekton investimin e kryer në proporcion me çmimin e zonës ku ndodhet pasuria.

Gjatë kryerjes së investimit të llojit Flipping duhet të jeni shumë vigjilentë në mënyrë që të kufizoni rriskun tuaj financiar dhe të makzimizoni fitimin tuaj.Pra, ju duhet të bëni një vleresim të drejtë të pronës që dëshironi të blini duke mos paguar shuma të mëdha për një pasuri e cila nuk përmbush rregullin e mësipërm dhe është mbivlersuar në raport me çmimin e zonës ku ndodhet.

Çfarë është më e rëndësishme,është se duhet të bëni gjithmonë një llogari të saktë dhe të plotë të të gjitha shpenzimeve që janë të domosdoshme për përmirsimin e pronës duke përcaktuar një kufi për këto shpenzime.Vlerësimi i kujdesshëm i shpenzimeve për rinovimin e pasurisë ndihmon së pari për një vendimmarrje racionale në momentin e investimit, dhe kufizimi i shpenzimeve e orienton investitorin qe të mos kryejë shpenzime të atilla që mund të sjellin një çmim përfundimtar më të lartë se mesatarja e zonës ku ndodhet pasuria.Një çmim i lartë i pasurisë së rinovuar sjell automatikisht më pak shanse për ta rishitur atë në një kohë të shpejtë dhe një dëm të drejtëpërdrejtë në financat e investitorit.                                                                                                                                                                                                                               

Avantazhet e investimit sipas metodës Flipping :

Kthim i shpejtë i të ardhurave tuaja

Një avantazh i madh i flipping është realizimi i fitimeve në kohë më të shpejtë,gjë që çliron kapitalin për qëllime të tjera.Koha mesatare e cila i nevojitet një investitori për të rishitur këtë pasuri është rreth gjashtë muaj[4] pra duke marrë parasysh fitimin që parashikohet të sjellë, nuk është një kohë shumë e gjatë.Gjithmonë kjo varet nga tipologjia,çmimi dhe zona në të cilën ndodhet pasuria.

Investim potencialisht i sigurt

Tregjet e pasurive të paluajtshme janë cilësuar si më të sigurta dhe më të parashikueshme në krahasim me tregjet e tjera të kapitalit.Në këtë kuptim,flipping mund të konsiderohet si një strategji më e sigurt e investimeve, sepse synon të mbajë kapitalin të bllokuar për një kohë më të shkurtër.Gjithashtu, i mungojnë rreziqet dhe shpenzimet që i duhen një pronari  për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e një prone në terma afatgjatë.

Disavantazhet e investimit sipas metodës Flipping:

Flipping mund të ketë kosto më të larta të cilat hasen gjithmonë në investime afatgjata. Shpenzimet e përfshira në rinovimin e një pasurie mund të jenë shumë të larta dhe kërkohen të gjitha pak a shumë në të njëjtën kohë.Në këtë mënyrë ju do tiu duhet që gjithmonë të keni gjendje një shumë parash të cilën ta investoni sa më shpejt në pronën që keni vendosur ta blini dhe më pas ta rishisni me një çmim më të lartë.

Rrisku i humbjes së parave

Një nga disavantazhet e kësaj mënyre investimi është se nuk funksionon gjithmonë.Mund të ndodhë që ju nuk mund ta rishisni shpejt pronën ose nuk mund ta rishisni me vlerën që keni menduar duke llogaritur të gjitha kostot që keni shpenzuar.Investitoret Flippers që blejnë, rehabilitojnë dhe shesin mund të humbasin para nëse (i)rikonstruksioni kushton më shumë sesa është planifikuar, (ii)nëse tregu imobiliar pëson rënie në periudhën që prona e rinovuar hidhet në qarkullimin civil,(iii)nëse blerësit nuk janë të interesuar për pasurinë.

 

Konkluzione

Flipping është një investim i cili funksionon në mënyrë të shkëlqyer kur ka kërkesë të lartë për prona të një tipologjie të caktuar dhe në mënyrë të veçantë për prona të investuara mirë.Është një mënyrë investimi në përgjithësi shumë fitimprurëse.Megjithatë është e rëndësishme të jeni vigjilentë në zgjedhjen e pronës së duhur.Një pronë e vleresuar në mënyre objektive në momentin e blerjes do tiu japi gjithmonë mundësinë e fitimeve të kënaqshme.

Padyshim,çdo metodë investimi,ka gjithmonë dy anë të medaljes.Disavantazhet që paraqitëm më lartë në këtë artikull duhet të jenë gjithmonë në vëmendjen tuaj në mënyrë që të ulni ndjeshëm rriskun e një rikthimi të reduktuar apo të mangët të investimit.Mos harroni asnjëherë tre aspekte kryesore :

1.Të bëni nje vleresim racional të gjendjes së pronës në momentin që blihet;

2.Të përcaktoni një buxhet realist për shpenzimet e rinovimit;

3.Të vlerësoni me kujdes indikatorët e tregut imobiliar të zonës ku ndodhet prona në mënyrë që të kuptoni qartë çmimin potencial pas rinovimit të saj dhe të ardhurave hipotetike që mund të realizohen nga shitja e pasurisë;

Nëse po mendoni të investoni përmes metodës Flipping mos hezitoni të bashkëpunoni me Realpas për gjetjen e pasurive ideale apo për çdo support të nevojshëm ligjor apo teknik që mund të keni nevojë në rrugëtimin tuaj të investimit në pasuri të paluajtshme.

Kontakto REALPAS në numrin e telefonit +355684073990,emal [email protected] apo përmes të gjitha rrjeteve tona sociale.