Investimi është mënyra e alokimit të burimeve, zakonisht të parave, në mënyrë që në një të ardhme të gjenerohen të ardhurave ose fitime.

Investimi në Pasuri të Paluajtshme vs. Investimi në Aksione

Investimi është mënyra e alokimit të burimeve, zakonisht të parave, në mënyrë që në një të ardhme të gjenerohen të ardhurave ose fitime.1

Mënyrat e investimit janë të ndryshme por sot do te ndalemi në dy prej tyre: investimi ne pasuri te paluajtshme dhe investimi ne aksione , duke i pare edhe në një vështrim krahasues.

Investimi në aksione tradicionalisht është përdorur dhe vijon të përdoret gjerësisht nga investitorët si një formë investimi me kthim të shpejtë. Nga ana tjetër, investimi në pasuri të paluajtshme rezulton të jetë një alternativë më e mirë se investimi ndaj aksioneve, pasi ofron rrezik më të ulët, dhe kthim më të mirë të investimit në terma afatgjatë.

Vendimi për të investuar në pasuri të paluajtshme apo aksione është një zgjedhje personale e individëve që zakonisht përcaktohet nga situata financiare,objektivat afatshkurtër apo afatmesëm dhe informacioni që ata kanë për tregjet ku ata investojnë.Të dyja strategjitë e investimit kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre të cilat do ti shtjellojmë në artikullin e mëposhtëm.

 

Investimi në Pasuri te Paluajtshme

 

Investimi në pasuri të paluajtshme përfshin blerjen, pronësinë, menaxhimin, marrjen me qira dhe/ose shitjen e pasurive të paluajtshme me qëllim gjenerimin e një fitimi.Një nga strategjitë më të përhapura dhe të suksesshme është blerja e pasurive të paluajtshme me çmim më të ulët, zakonisht të lokalizuara në zona urbane apo rurale që kanë potencial të afërt zhvillimi.Më tej, përmirësimi i parametrave teknik dhe estetik të pronës, mundëson shitjen me një çmim atraktiv,i cili shërben për të mbuluar shpenzimet e blerjes dhe rikonstruksionit si dhe të krijojë fitim të kënaqshëm me pronarin. Në rastin kur prona mbahet për tu dhënë me qira, kjo e fundit arrin të sigurojë të ardhura të qëndrueshme periodike.

 

Investitori që blen një pasuri dhe kryen rinovimet e nevojshme për ta rishitur, duhet të parashikojë që në çmimin e rishitjes së pasurisë  së rinovuar 70% e çmimit të jetë investimi për blerjen dhe rinovimin e saj dhe të paktën 30% duhet të jetë fitimi i ardhshëm.Për shembull, nëse një investitor që kërkon të shesë një pasuri të rinovuar me vlerë 100,000 euro,ai duhet të llogarisë që vlera e investimit të tij (blerje +shpenzime rinovimi)të mos e kalojë shumeën 70,000 euro, në mënyrë që të garantohet një fitim prej 30,000 euro.Ky rregull është thjesht një rregull i përgjithshëm për të bërë një vlerësim të shpejtë, jo një garanci e fitimeve.

 

 

 

Investimi në Aksione

 

Aksionet janë letra me vlerë që përfaqësojnë një pjesë të pronësisë në një kompani. Për kompanitë, lëshimi i aksioneve është një mënyrë për të mbledhur para për tu rritur dhe investuar në biznesin e tyre. Për investitorët, aksionet janë një mënyrë për të gjenerur fitim nga përdorimi i parasë së tyre në blerjen e një aksioni.2 Investimi në aksione nënkupton blerjen e aksioneve në një Shoqëri Tregtare Anonime me ofertë publike e cila tregton aksionet e saj në një bursë kombëtare apo ndërkombëtare.Investitorët që zgjedhin të investojnë në shoqëri të tilla parashikojnë që aktiviteti i shoqërisë tregtare të njohë rritje me kalimin e kohës duke mundësuar kështu rrithje të vlerës së aksioneve në tregun e kapitaleve.Nëse shoqëria tregtare e përzgjedhur performon mirë dhe ka një fitim të kënaqshëm vjetor,kjo sjell teorikisht një rritje të kërkesës për të blerë aksione.Zakonisht rritja e kërkesës për blerje të aksioneve sjell gradualisht edhe një rritje domethënëse të çmimit të aksionit.Nëse vendosni të shisni aksionet në një situatë të favorshme,padyshim që krijohen kushtet për të krijuar një fitim të kënaqshëm që rezulton nga diferenca midis çmimit të blerjes dhe atij të shitjes së një aksioni.

Për shembull: Z. X ka blerë 100 aksione të Amazon më 14 qershor 2019 me një çmim 1859 dollarë/aksion.Pra Z.X , shpenzon në total 185.900 dollarë për blerjen e 100 aksioneve. Ndërsa çmimi u rrit më 1 korrik 2019, ai vendos t'i shesë ato në fund të ditës me çmimin e mbylljes prej 1922.19 dollarë dhe merr 100 x 1922.19, domethënë, 192219 dollarë.

Fitimi i realizuar në transaksionin e mësipërm = 192219 dollarë- 185900 dollarë = 6319 dollarë.

 

Vështrim krahasues mbi investimin në pasuri te paluajtshme dhe aksione

 

Mënyra e investimit

Kur ju vendosni te investoni në pasuri të paluajtshme ju bëheni pronar i një pasurie fizike të caktuar. Ju do te zotëroni një pronë te caktuar si pronar qoftë kjo tokë, komercial, vilë apo apartament. Kur ju investoni në aksione ju blini një pjesë te vogël të një kompanie.Në proporcion të vlerës që ju vendosni të investoni ju do te keni një përqindje të caktuar të fitimit apo humbjes në atë shoqëri.

 

Rrisku

Një ndër vështirësitë e investimit në pasuri të paluajtshme është fakti se pasuritë e paluajtshme duan një kërkim intensiv dhe të kujdesshëm për të gjetur pronat e duhura të cilat gjenerojnë fitim të mirë, të shpejtë dhe të qëndrueshëm. Nuk është e lehtë të gjesh dhe të investosh në një pronë specifike duke marrë parasysh faktin që në përgjithësi çmimi që do të paguhet është i lartë. Investimi në pasuri të paluajtshme nuk është një aktivitet në të cilën mund të shpenzoni rastësisht kohë , para dhe energji dhe të prisni rezultate dhe kthime të menjëhershme. Një nga disavantazhet e kësaj mënyre investimi është se kërkon një kohë më të gjatë të kthimit të investsimit.

Nëse pasuria që keni blerë ka një kthim të vlerës së investimit 10-15 vjet, kjo mund të quhet një investim i mirë. Gjithashtu kur investoni në pasuri të paluajtshme mund të ndodhë të mund të mos e rishisni shpejt pronën ose mund të mos e rishisni me vlerën që keni menduar duke llogaritur të gjitha kostot që keni shpenzuar.

Nga ana tjetër investimi në aksione i nënshtrohet disa llojeve të ndryshme të rrezikut: rreziqe të tregut, ekonomik dhe inflacionist. Së pari, vlerat e aksioneve mund të jenë jashtëzakonisht të paqëndrueshme me çmimet e tyre që i nënshtrohen luhatjeve në treg. Paqëndrueshmëria mund të shkaktohet nga ngjarje gjeopolitike dhe specifike të kompanisë. 3

Përshembull ,Z. Y ka blerë 100 aksione të një kompanie X më 7 maj 2019 në 1939.99 dollarë/aksion.Në total çmimi i blerjes së aksioneve ishte 193.999 dollarë. Me datë 1 Korrik 2019 çmimi i aksioneve pësoi ulje. Për të evituar humbjet e mëtejshme Z.Y vendosi t’i shesë me çmimin 1929.82 USD/aksioni dhe merr 100x1929.82, domethënë , 192,982 dollarë.

Humbja në transaksionin e mësipërm = 193999 $- 192982 $ = 1017 $.

Koha dhe Dedikimi

Kur ju investoni në pasuri të paluajtshme ju duhet më shumë kohë dhe dedikim ndaj pronës tuaj, veçanërisht në rastin kur prona është e dhënë me qira. Ju duhet të jeni gjithmonë aty për çdo problematikë që do të dalë me pronën tuaj. Gjithashtu ju duhet një kohë e konsiderueshme në rastin që dëshironi ta rishisni, ju nevojitet kohë duke u marrë me rikonstruksionin e saj dhe me gjetjen e blerësit të duhur.

 

Kur blini aksione ju po blini një pjesë të fitimit/humbjes të një shoqërie. Ndryshe nga drejtimi i një biznesi të vogël, zotërimi i një pjese të një biznesi përmes aksioneve nuk kërkon ndonjë angazhm fizik nga ana juaj, përveç punës kërkimore për gjetjen e shoqërisë e cila do tiu japë një investim të kënaqshëm.Ju përfitoni nga rezultatet e kompanisë, por nuk keni pse të dedikoheni dhe të merreni çdo ditë me menaxhimin e përditshëm të saj.4

 

Qëndrueshmëria

Investimet në prona të paluajtshme kanë qenë tradicionalisht një mbrojtje ndaj inflacionit. Ndërsa pasuritë e paluajtshme e humbasin ose rrisin vlerën e tyre në zona dhe momente të caktuara, investitorët janë vigjilentë ndaj këtyre ndryshimeve të cilat nuk ndodhin në mënyrë të menjëhershme dhe mund ti shesin në momentin e duhur.

Nga ana tjetër çmimi i aksioneve mund të përjetojë luhatje ekstreme të vlerës në një afat të shkurtër. Aksioni juaj që keni blerë në shoqërinë Amazon në vitin 2020 në një vlerë $ 40 mund të shkojë në $ 10 ose në $ 80 brenda pak orëve në tregjet financiare si pasojë e atyre fenomeneve ekonomike apo sociale që kanë impakt të gjerë në kërkesën dhe ofertën e investitorëve në tregjet financiare.

 

Diversifikimi

Kur zgjidhni strategjinë e duhur të investimit për ju, mënyra më e mirë për të mbrojtur kundër rrezikut është të diversifikoni sa më shumë që të mundeni pasuritë tuaja.Ju mund të diversifikoni shumë më lehtë aksionet sesa pasuritë e paluajtshme.Ju mund të blini aksione në disa shoqëri që operojnë në industri të ndryshme në mënyrë që nëse ndonjëra njeh humbje në tregjet financiare, ju prapë mund të kompensoni humbjet përmes fitimit që realizoni nga zotërimi i aksioneve.

Diversifikimi i portofolit është një strategji e përdorur masivisht edhe në fushën e investimeve në pasuri te paluajtshme. Investimi në tipologji të ndryshme pronash apo zona të ndryshme atraktive ul ndjeshëm rrezikun për një kthim të ulët të investimit.

 

 

 

Avantazhet dhe disavantazhet e investimeve në pasuri të paluajtshme dhe në aksione

 

Avantazhet e Investimit në pasuri të paluajtshme

  • Investimi në pasuri të paluajtshme është me i lehtë për tu kuptuar nga masa e gjerë e individëve dhe më i lehtë për tu vënë në zbatim. Proçedurat e zotërimit të nje pasurie të paluajtshme janë më të thjeshta.

  • Investimi në pasuri të paluajtshme është një mënyrë më e sigurtë dhe më mbrojtëse ndaj inflacionit.

  • Investimi ne pasuri të paluajtshme krijon të ardhura të qëndrueshme periodike.Veçanërisht në rastin e lënies së pasurive me qera.

  • Pasurive të paluajtshme në përgjithësi iu rritet vlera me kalimin e kohës. Kur ju keni bërë një blerje të zgjuar, të një prone e cila ndodhet në një pozicion shumë të mirë gjeografik e cila ka potencial që vlera ti rritet me kalimin e kohës ju keni bërë një investim të zgjuar.5

 

Disavantazhet e Investimit në pasuri të paluajtshme

  • Investimi kërkon që të kesh një shumë parash të konsiderushme. Ndryshe nga investimi në aksione që mund të jetë edhe me një vlerë minimale, investimi në pasuri të palujtshme kërkon kapital të konsiderushëm financiar.

  • Gjetja e pronës së duhur në mënyrë që investimi të jetë i sigurte në përgjithësi kërkon një kohë të gjatë. Kthimi i vlerës së investimit në pasuri të paluajsthme kërkon një kohë të gjatë.

  • Investimi në pasuri të paluajtshme nuk është shumë likuid( pra konvertohet me vështirësi në vlerë monetare ).Kur vendosni të investoni në pasuri të tilla duhet ta shikoni si një strategji afatgjatë investimi.6

 

 

 

Avantazhet e investimit në aksione

  • Aksionet janë shumë likuide. Ndërsa paratë e investimit mund të mbyllen për vite me radhë në pasuri të paluajtshme,blerja ose shitja e aksioneve të ndërmarrjeve publike mund të bëhet në momentin që ju vendosni se është koha për të vepruar. Ndryshe nga pasuritë e paluajtshme, është gjithashtu më e lehtë të dihet vlera e investimit tuaj në çdo kohë.

  • Diversifikimi i portofolit është më i lehtë nëpërmjet kësaj mënyre investimi. Me aksione, është e mundur të ndërtohet një portofol i gjerë i kompanive dhe industrive në të cilat ju mund të jeni pjesë në të njëjtën kohë.

 

 

Disavantazhet e investimit në aksione

  • Vlera e aksioneve në tregjet financiare është shumë e paqëndrushme pasi tregjet financiare impaktohen nga një sërë faktorësh të panjohur ekonomikë dhe socialë global. Çmimet e aksioneve lëvizin shumë shpejt në vlera shumë të larta dhe shumë të ulëta duke sjell një dëm tek ju si investitorë nëse keni menduar që ti shihni investimet në aksione si një investim afatgjatë.

  • Për gjetjen e kompanisë së duhur në të cilën dëshironi që të blini aksione duhet të informoheni në mënyrë specifike për mënyrën sesi funksionojnë tregjet financiare, indtustrinë në të cilën operon shoqëria ku ju blini aksionet, duhet të shqyrtoni me kujdes të gjitha të dhënat publike financiare të raportuara për këtë shoqëri nga institucione Audituese të Çertifikuara.Gjetja e këtij informacioni jo gjithmonë është i lehtë dhe jo të gjithë kanë kohën e duhur për ti kushtuar vëmendje ecurisë periodike të tregjeve financiare.

 

 

 

Konkluzione

 

Investimi në pasuri të paluajtshme dhe aksionet paraqesin të dyja rreziqe dhe përfitime. Investitorët duhet të jenë shumë vigjilentë kur bëjnë zgjedhjet e tyre në mënyrën e investimit pasi duhet të mundohen të zvogëlojnë sa më shumë rrisqet që lidhen me investimet e tyre. Investimi në pasuri të paluajtshme është një mënyrë ideale për të diversifikuar portofolin tuaj të investimeve, për të zvogëluar rreziqet dhe për të maksimizuar kthimet.Dhe nëse ju pëlqen ideja e investimit në pasuri të paluajtshme, por nuk doni të zotëroni dhe menaxhoni prona, investimi në një REIT mund të jetë një mundësi shumë e mirë.

Mënyrën e investimit , avantazhet dhe disavantazhet e kësaj forme investimi i gjeni në artikullin https://realpas.al/blog/format-e-reja-te-investimit-ne-pasuri-te-paluajtshme-reits.html.

 

Investimi në aksione mund t'ju bëjë të fitoni shumë para nëse investoni në kompaninë e duhur. Sidoqoftë, kjo është një formë investimi e cila shoqërohet me një kthim më të shpejtë të investimit por ekspozim më të lartë ndaj humbjeve. Cilado qoftë forma e investimit që vendosni të përdorni, mos hezitoni dhe merrni kohën tuaj që të informoheni në mënyrë gjithëpërfshirëse për avantazhet dhe disavantazhet që paraqiten në secilin rrisk.Zgjidhni të bashkëpunoni me konsulentë me eksperiencë në tregjet imobiliare apo financiare në mënyrë që të ulni në minimum ekspozimin ndaj rrisqeve që shoqërojnë investimin tuaj.

 

1 https://www.investopedia.com/terms/i/investing.asp

2 https://www.nerdwallet.com/article/investing/real-estate-vs-stocks-which-is-the-better-investment

3 https://www.investopedia.com/investing/reasons-invest-real-estate-vs-stock-market/

4 https://www.thebalance.com/real-estate-vs-stocks-which-is-the-better-investment-357992

5 https://investorjunkie.com/real-estate/pros-and-cons/

6 https://investorjunkie.com/real-estate/pros-and-cons/