INVESTIMI NË TOKAT BUJQËSORE NË SHQIPËRI DHE PROBLEMATIKAT.

 

 


 

"Toka bujqësore" qe si e tille figuron ne regjistrat kadastrale te shtetit është sipërfaqja e tokës, e zëne me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtat, kudo ku ndodhet dhe që ka veçori thelbësore te saj pjellorinë. Sipërfaqja totale e tokës bujqësore në Republikën e Shqipërisë zë rreth 24% (ose rreth 699,000 hektarë) të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Shqipëria është vend me mundësi të konsiderueshme  sa i përket kushteve të tokës, të klimës, numrit të ditëve me diell, pasurive ujore dhe potencialit njerëzor në zonat rurale. Të gjitha sa përmendëm janë faktorë të rëndësishëm që vërtetojnë potencialet e ekonomisë bujqësore në vend. Popullsia rurale në Shqipëri përbën mbi 50 % të popullsisë totale, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish është i punësuar në aktivitetin bujqësor. Sipas statistikave të INSTAT,ne Shqiperi ka  aktualisht 350,000 ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Në sektorin e mekanizimit, ku 350,000 fermave u përgjigjen vetëm 20, 600 mjete. Toka bujqësore është 700 mijë hektarë, 80% e së cilës[1], është ndarë me ligjin  nr.7051 datë 19.7.1991 “PËR TOKËN” edhe 130,000 hektarë janë tokë bujqësore në pronësi të shtetit.Megjithate, një pjesë e madhe e kësaj toke nuk është  bujqësore, për shkak të një numri të madh ndërtimesh pa leje. [2]

Pavarësisht se bujqësia konsiderohet si motor ekonomik në vendin tonë dhe  gati gjysma e popullsisë shqiptare është e punësuar në këtë sektor, ajo përbën rreth 18 % të GDP-së. Megjithë forcën punëtore dhe potencialin agrikulturor jemi vendi që eksporton më pak prodhime bujqesore në rajon. Bujqit shqiptarë vuajnë cdo ditë një realitet ekonomik të ashpër, ku për shkak të organizimit të mangët dhe politikave të dobëta shtetërore produktet nuk gjejnë kërkesë dhe as nuk munden të plotësojnë tregun. Disa nga arsyet kryesore të kësaj gjendjeje kanë të bëjnë me sipërfaqen e vogël të fermave,  cilësinë e ulët të tokës bujqësore (vetëm 22% e tokës është e ujitur megjithëse mundësitë e ujitjes janë për 70% të sipërfaqes totale), nivelin e ulët të përdorimit të plehrave kimike, distancat e mëdha ndërmjet fermave, dhe distancat e mëdha nga zonat urbane. Raporti eksport- import në sektorin agro ushqimor për vitin 2018 ishte 1:8. 

Pergjatë 2 dekadave te fundit, ekonomia shqipetare  është transformuar nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një ekonomi të dominuar nga shërbimet. Ky transformim ka ndodhur pjesërisht si pasojë e ndryshimeve politike në vend, hapjes së kufijve, dhe rritjes së importit te produkteve agroushqimore, gjë që solli në vecanti një rënie të prodhimit vendas. Gjithashtu, parë në raport me ekonomitë bujqësore të vendeve fqinje, sektori bujqësor në Shqipëri mbetet ende i pazhvilluar në dhe me një infrastrukurë të pamjaftueshme bashkëkohore që është e domosdoshme për të përballuar në cilësi kosto dhe volum kerkesat e tregut vendas dhe atij rajonal. Përveç arsyeve të mësipërme, ndryshimet legjislative të lidhura me trojet dhe tokën bujqësore  në vitet 90 të cilat cuan në një copëzim të tokës bujqësore për frymë, financimet e kufizura dhe politikat fragmentare të zhvillimit bujqesor e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Megjithëse ekziston një tendencë pozitive për konsolidimin e fermave, konkurueshmëria e sektorit të bujqësisë është ndikuar negativisht nga sipërfaqja e vogël e fermave bujqësore. Fermat në Shqipëri janë kryesisht ferma te subsistencës (vetë-mbajtjes) dhe shumica e produkteve bujqësore janë të destinuara për konsum vetjak. Mes fermerëve ekziston një mungesë tradite si dhe dëshirë e kufizuar për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Numri i grupeve të prodhuesve dhe shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (kooperativave) deri tani ka qenë i vogël pavarësisht përpjekjeve të disa donatorëve për të nxitur bashkëpunimin mes fermerëve lidhur me veprimtaritë e furnizimit dhe marketing-ut.  Rezulton se aktualisht fermat në Shqipëri kërkojnë intensitet të lartë pune ndërkohë që niveli i përparimit teknologjik është i ulët. Një përqindje e lartë e fermave kanë mekanizim të vjetruar, si dhe ambiente ruajtje të papërshtatshme. Intensiteti i ulët i kthimit të kapitalit nga prodhimi bujqesor ka rezultuar në produktivitet të ulët, kosto prodhimi relativisht të larta, cilësi të ulët, humbje dhe fitime të pakta. Përmbushja e standardeve mjedisore, sigurisë ushqimore dhe mirëqenies së kafshëve vazhdon të jetë e ulët. Një përqindje e lartë e fermave bujqësore nuk arrin t’i përmbushë këto standarde si pasojë e burimeve financiare të kufizuara për të përmirësuar ambientet apo teknologjitë si dhe e mungesës së ndërgjegjësimit apo njohurive të këtyre standardeve

Përpunimi i prodhimeve agro ushqimore është një problem tjetër aktual. Përpunimi ushqimor është një sektor ekonomik relativisht i vogël në Shqipëri. Në industrinë e përpunimit ushqimor operojnë përafërsisht 2000 kompani, 95% e të cilave janë mikrosipërmarrje. Industritë më të rëndësishme të përpunimit ushqimor në Shqipëri janë prodhimi i miellit dhe i bukës, prodhimi i pijeve jo-alkoolike, si dhe përpunimi i mishit dhe qumështit. Zhvillimi i sektorit të përpunimit ushqimor në Shqipëri është i kufizuar nga një numër faktorësh, disa prej të cilave lidhen me pamjaftueshmërinë e lëndës së parë, mungesën e homogjenitetit në lidhje më sasinë dhe cilësinë e saj, integrimin jo të zhvilluar vertikal mes prodhuesve të lëndës së parë dhe industrisë përpunuese, mungesën e burimeve për përmirësimin e cilësisë përmes futjes në përdorim të sistemeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore. Futja në përdorim e sistemeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore ka filluar, por deri tani vetëm në kompanitë e mëdha të përpunimit. Investimet për përmbushjen e standardeve të mbrojtjes mjedisore dhe trajtimit të mbetjeve janë të pakta për momentin.Në mënyrë të ngjashme me prodhimin primar, rritja e sektorit të prodhimit ushqimor pengohet nga burimet e brendshme të kufizuara të sipërmarrësve dhe vështirësia e tyre për huamarrje.

Për më tepër, Shqipëria përballet me një sfidë domethënëse për sa i përket mbështetjes së bizneseve private gjatë adaptimit të teknologjive më të sofistikuara që nevojiten për të arritur standardet dhe rregullat e BE. Ndërkohë që autoritetet arrijnë progres duke prezantuar rregullat dhe standardet e reja të BE, ka një nevojë jo vetëm për të përmirësuar implementimin e tyre nga ana e sektorit publik, por edhe për të krijuar një ambient i cili lejon firmat private që të marrin njohuritë e nevojshme teknike për t‘ju përshtatur me këto kërkesa. Eksportuesit Shqiptar janë të renditur në fund të tregut global, duke u përfshirë vetëm në procese përpunimi dhe me pak vlerë të shtuar ndaj produktit.

Gjithashtu infrastruktura e vaditjes e cila është jetësore për të forcuar avantazhin konkurrues të sektorit të bujqësisë  mbetet në kushte të dobta dhe duhet të adaptohet me kushtet e ndryshimit klimaterik. Ndërkohë që Shqipëria ka reshje të shumta vjetore, më pak se 20 përqind e këtyre rreshjeve ndodhin gjatë periudhës nga Prilli në Shtator çka e bën vaditjen të nevojshme për të mbjellat e verës dhe ato vjetore. Mbrojtja nga përmbytjet është gjithashtu e rëndësishme për bujqësinë, veçanërisht në ultësirat bregdetare.

Ndër problematika të tjera do të përmendim gjithashtu koston shumë të lartë e prodhimit bujqësor, dhe gjithashtu mungesën totale të Shërbimeve dhe e Infrastrukturës Financiare Rurale, i cili është faktor frenues për zhvillimin e bujqësisë dhe atij rural në përgjithësi.

Pavarësisht nga problematikat, Shqipëria mbetet nje vend me  një potencial të madh bujqësor, dhe ky sektor po merr një vëmendje nga operatorë vendas dhe të huaj, përmes granteve dhe favorizimeve për ti siguruar bujqve shqiptarë mundësi konkurrimi me vendet fqinje.

Sic dihet, përgjate viteve 90, dhe ndryshimeve te rendesishme ne sistemin qeverises te vendit , pjesa më e madhe e tokave buqësore kaluan në pronësi private. Kjo u realizua me anë të Ligjit nr.7501/91 “Për Tokën”, një ligj i cili gjeti dhe vazhdon të hasë shumë kundërshti për shkak se ne shkalle te gjerë konceptohet si antikushtetues duke qenë se nuk mori parasysh pro,. Ne vitin 1938 Shqiperia kishte 250.000 ha toke bujqesore, ndersa ne vitin 1990 kishte 750.000 ha toke bujqesore, pra 500.000 ha me shume . Toka bujqësore iu nda anëtarëve të familjeve bujqësore, pa i marrë parasysh pronarët e parashtetëzimit duke u bazuar teresisht ne parimin se “toka i takon atij qe e punon” dhe jo pronarit te ligjshem te saj dhe shkaktoi në vend si rezultat një situatë kaotike e cila vazhdon edhe sot.

Legjislacioni ynë me ligjin Nr.8337, datë 30.4.1998 “ Per Kalimin ne Pronesi te Tokes Bujqesore, Pyjore, Livadheve dhe Kullotave” lejon transferimin e lirë të pronësisë mbi tokat buqësore private, përvec për personat fizikë dhe juridikë të huaj. Personat fizikë dhe juridikë të huaj gëzojnë të drejtën e marrjes së tokës me qira deri në 99 vjet. Dhënia me qira e tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil.

Shteti ynë është përpjekur të fazorizojë kalimin e pronësisë së tokave bujqësore, dhe të kufizojë transferimin për qëllim të ndryshimit të destinacionit të tokës. Me rëndëi për të përmendur janë ndryshimet lidhur me tatimin e kalimit të pronësisë , ku specifikohet se personat që shesin tokë bujqësore, të cilën e kanë përfituar me ligjin nr.7501/91 do të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin.[3]  I vetmi kusht për të përfituar përjashtimin nga 15% e tatimit është fakti se kjo tokë duhet të mbetet bujqësore dhe jo të përdoret për truall.Gjithashtu, nuk do të paguhet tatim fitimi as në momentin që kryhet kalimi i titullit te pasurisë brenda familjes burrë, grua, fëmijë në momentin që toka është fituar me ligjin nr.7501/1991. Gjithashtu paketa e re fiskale sjell nje lehtësim për sektorin e agroturizmit, reduktimin e TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera, që ofrohen nga subjekti i licensuar agroturistik. Ferma që do të ketë edhe struktura akomoduese do të përfitojë Tatim mbi Vlerën e Shtuar po 6% edhe për mallrat që merr furnizim.

Gjithashtu pervec kalimit te pronësisë një investitor potencial mund të marrë me qira tokë bujqësore në pronësi të shtetit në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve të VKM nr. 373, Datë 20.6.2018 “ Për Përcaktimin e Kritereve, të Rregullave, Procedurave dhe Kontratës Tip Për Dhënien Me Qira Të Tokave Bujqësore Në Pronësi Të Shtetit”. Sipas këtij vendimi, Tokat bujqësore në pronësi të shtetit jepen me qira për afate kohore, si më poshtë vijon: a) Deri në 10 vjet, kur destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative;

b) Deri në 30 vjet, kur destinohen për: i. krijimin dhe kultivimin e vreshtave; ii. krijim pemëtoresh me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik; iii. ndërtim serrash e kultivim të bimëve në to; iv. fidanishte.

c) Deri në 99 vjet, kur: i. destinohen për krijim ullishtash; ii. destinohen për krijim pemëtoresh me drufrutorë, si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje;

Janë një sërë grantesh dhe mundësish për një investues në bujqësi në Republikën e Shqipërisë. Do të përmendim si një risi të sukseshme pjesëmarrjen e Shqipërisë në një program të hapur europian për mbështetjen e bujqësisë, programin Ipard II, i cili ka për qëllim financimin e subjekteve për periudhën 2014-2020 në zinxhirin nga ferma deri tek agropërpunimi dhe zhvillimin e zonave rurale vendase me me buxhet ndihmës me total prej 71 milionë euro. Ky program mbështet disa fusha të bujqësisë si

 - Investime në asetet fizike në fermat bujqësore;

- Investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të  peshkimit;

- Diversifikimi fermës dhe zhvillimi biznesit;

- Asistenca teknike; 

 

Pët tu kualifikuar për të qenë pjesë e këtij programi Investimet duhet të kryhen në territorin e Republikës së  Shqipërisë.  Aplikuesit duhet të kenë mjete të mjaftueshme financiare për të financuar pjesërisht investimin. Ata duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara sipas formularëve përkatës si dhe nje Plan Biznesi. Aplikuesit duhet të jenë pronarë të tokës apo ndërtesave ku ushtrohet aktiviteti bujqësor brenda territorit shqiptar ose ta kenë tokën  me qira 10 vjeçare. Pajisjet dhe makineritë duhet të jenë të reja dhe të respektojnë rregullin e origjinës. Në varësi të masës, aplikantët duhet të bashkëfinancojnë 30%, 40% deri në 50% të totalit të investimit.

Kuadri i ri ligjor si dhe infrastruktura e nevojshme per suportin financiar te projekteve agrikulturore shqipetare  pritet te ndikojnë pozitivisht në sektorin e bujqësisë  dhe padyshim te ndikojne ne rritjen e cilësisë se prodhimeve agro ushqimore shqiptare.

Ka një numër arsyesh përse një investitor mund të zgjedhë sektorin e agrobiznesit në Shqipëri, listuar më poshtë:

-           Ka një kërkesë në rritje për produkte bio, në vend edhe jashtë. Shqipëria ka kushte të shkëlqyera për kultivimin e produkteve bio, por ndër të tjera ka një numër produktesh specifike shqiptare si p.sh. grupi i agrumeve, grupi i frutorëve, gjithashtu mund te permendim produkte specifike si boronica, bimet medicinale etje. Këto produkte gjejnë kërkesë të gjerë në rajon e më tej, dhe ofrojnë një mundësi investimi fitimprurës për cdo investitor.

-           Shqipëria ka një vendndodhje të shkëlqyer gjeografike, mjaft të përshtatshme për eksportet dhe vendosjen e kontakteve ekonomike me vendet e rajonit. Me një popullsi prej 3.2 milion banorë, Shqipëria gjendet në Ballkanin Perëndimor dhe gëzon një vendndodhje gjeografike të favorshme në Evropën Juglindore si dhe burime natyrore me vlerë. Përveç kushteve shumë të favorshme natyrore shqipëria ka një pozicion të përshtatshëm gjeografik, për fakt të distancës shumë të favorshme me ekonomi shumë më të zhvilluara (Greqia, Italia, etj), të cilat janë të rëndësishme për shkak të partneritetit tregtar, si bujtëse të emigrantëve shqiptarë dhe si burime investimesh, Me politikat e duhura shtetërore produktet agroushqimore mund te gjejnë një treg shumë më të gjerë se sa tregu vendas.

-           Aktualisht agrobiznesi është një nga tregjet më pak të specializuar në Shqipëri, karakterizuar kryesisht nga investitorë të vegjël. Investimi në teknologjinë e duhur dhe fokusi në produktet me kërkesë të lartë në treg siguron një performancë të mirë në një treg ku konkurrenca është relativisht e ulët.

-           Krahu i sigurt i punës. Një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare është e vendosur në zonat rurale, dhe kanë burim ekonomik të vetëm bujqësinë, si rrjedhojë sigurimi i punonjësve të përshtatshëm nuk do të shpaloste problem për një investitor.

 

Për gjithë sa më sipër bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit në Shqipëri. Potenciali bujqësor i Shqipërisë aktualisht, duke gjykuar nga rezultatet e deritanishme, nuk po shfrytëzohet në mënyrë e duhur, dhe nëse do të zbatoheshin politikat e duhura qeveritare në këtë sektor të lënë gjatë pas dore, duke nisur me përmirësimin e politikave lidhur me importet dhe eksportet, përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe kullimit, përmirësimi i zinxhirit të sigurisë ushqimore, rritja e konkurueshmërisë së produkteve bujqësore dhe lehtësimi i sigurimit të kapitalit për investime, investimet në tokat bujqësore do të ishin shumë të sukseshme dhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për vendin tonë.

 

 

[1] sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë.

 
 

[2]     [ STRATEGJIA NDËRSEKTORIALE REFORMA NË FUSHËN E TË DREJTAVE TË PRONËSISË 2012 - 2020]

 
 

[3]  Këto ndryshime përfshihen në Ligjin nr.39/2018, datë 09.07.2018 – Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, botuar ne Fletoren Zyrtare nr.134, datë 18.09.2018.