Shpronësimi për interes publik si kufizim i së drejtes së pronësisë.
E drejta e pronës private është një nga të drejtat themelore të njeriut, si kategori bazike ekonomike-juridike e ndërvarur nga struktura përkatëse politike dhe shoqërore e shtetit. Liria e Prones private është nje e drejte kushtetuese e cila garanton paprekshmërinë e pronës privat nga ndërhyrjet e pajustifikuara të organeve shtetërore ose të tretëve. Në Republikën e Shqipërisë e drejta e pronësisë garantohet nga neni 41 i Kushtetuës të Republikës së Shqipërisë, nga neni 1 i Protokollit Shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut., dhe rregullohet nga dispozitat e Kodit Civil si dhe dhe një mori aktesh të tjera ligjore ose nënligjore.
Të drejtat e pronës përbëjnë një nga problemet më të mprehta me të cilat është përballur shteti shqiptar pas rënies së regjimit komunist. Problemet kryesore me të cilat vendi përballet sot e kanë origjinën në ligjet që u miratuan në fillim të viteve 90’. Ligji nr.7501 date 19/07/1991 “Për Tokën”, është një prej tyre. Ky ligj parashikonte shpërndarjen e tokës bujqësore individëve dhe personave juridikë, të cilët ishin të ndryshëm nga individët që e kishin patur në pronësi përpara se kjo tokë të sekuestrohej nga regjimi komunist.
Ndërkohë, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të sekuestruara nga regjimi komunist filloi në vitin 1993 dhe në vitet në vazhdim, u miratuan disa ligje dhe akte nënligjore, të cilat kishin si qëllim rregullimin e drejtë, sipas kritereve të nenit 41 të Kushtetutës, të çështjeve të së drejtës së pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet. [1]Ky proces krijoi një kornizë ligjore të fragmentuar, e cila u ndryshua disa herë dhe i hapi rrugën informalitetit, të drejtave të mbivendosura të pronës dhe mjaft proceseve gjyqësor. Sipas të dhënave, që janë marrë nga Regjistri i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe janë përdorur në Amicus Curiae i Komisionit të Venecias, ka patur 230 çështje kundër Shqipërisë në gjykim në Gjykatë dhe, në tetor të vitit 2016, 15 çështje kundër Shqipërisë nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Në këtë periudhë, numëroheshin 40.000 çështje në gjykim në gjykatë dhe gjykatën administrative në Shqipëri. [2]
Formulimi i parashikuar në nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pranon në mënyrë pohuese se e drejta e pronësisë mund të kufizohet. Neni 41 i Kushtetutës përcakton së “ E drejta e pronës private është e garantuar. 2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. 3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë. 4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë. 5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë”.
Për sa më sipër e drejta e pronës është e garantuar, por se ka raste të kufizimit të pronësisë private (shpronësimi apo kufizime që barazohen me shpronësimin) dhe shteti merr përsipër që të respektojë kufizimin në përmbushje të një interesi publik, kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe në respektim të së drejtës së ankimit të individit të cenuar për masën e shpërblimit.
Sipas nenit 1 të Protokollit nr. 1 te KPDNJ, kufizimet që dikton shteti ndaj të drejtës së pronësisë janë të përligjura në rast se ato përmbushin tre kritere: kufizimi duhet të jetë i ligjshëm (të parashikohet me ligj dhe të respektojë standardet e sundimit të ligjit); duhet të ndjekë një interes publik ose të përgjithshëm; dhe duhet të jetë në përpjesëtim me synimin që ndiqet (e domosdoshme në një shoqëri demokratike).
E drejta e pronësisë nuk është absolute dhe mund të kufizohet. Sidoqoftë, kufizimi i të drejtës së pronësisë lejohet vetëm në rast se këto kushte përmbushen bashkërisht:
· Parashikohet me ligj
· Është në interesin publik
· I domosdoshëm në një shoqëri demokratike
Ligjshmëria Kufizimi i të drejtës së pronësisë duhet të përmbushë kërkesën lidhur me ligjshmërinë dhe të jetë në përputhje me legjislacionin, Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Shteti mund ta kufizojë të gëzuarit e pasurisë, por ky kufizim duhet ta ketë burimin në legjislacionin vendas, i cili duhet të ketë karakteristika të caktuara cilësore dhe masat e duhura mbrojtëse proceduriale me qëllim mbrojtjen nga arbitrariteti.
Interesi I Përgjithshëm. I gjithë kufizimi i të drejtës së pronësisë së një individi mund të përligjet vetëm në rast se ai ndjek një synim të ligjshëm në interesin e përgjithshëm (publik). Autoritetet e vendit janë në pozitë më të mirë për të përcaktuar atë se çfarë është interes publik derisa gjykimi i tyre është dukshëm i pabazuar dhe çon në arbitraritet.
Proporcionaliteti. Kufizimi duhet të vendosë një raport të drejtë ndërmjet kërkesave lidhur me interesin e përgjithshëm të komunitetit dhe kërkesave lidhur me të drejtat themelore të individit. Nuk do të ekzistojë një raport i drejtë në rast se individit pronar do t’i vihet një barrë individuale dhe e tepërt.
Kufiri i Vlerësimit Shtetet kanë një kufi vlerësimi në vendosjen e raportit të drejtë ndërmjet nevojës dhe domosdoshmërisë së kufizimit. Kufiri i vlerësimit e ka burimin tek parimi i subsidiaritetit.
Shpronësimet në Republikën e Shqipërisë rregullohen sipas Ligjit Nr.8561, datë 22.12.1999 Për Shpronësimet dhe Marrjen në Përdorim të Përkohshëm të Pasurisë Pronë Private Për Interes Publik (Ndryshuar me ligjin nr. 20/2016, datë 10.3.2016). Sipas nenit 2 të këtij ligji shpronësimi i pasurive pronë private bëhet vetëm për interes publik, në kushtet kur interesi publik mbizotëron kundrejt interesave private të pronarëve të tyre, në përputhje me kushtet e parashikuara nga ligji dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. E drejta e shpronësimit dhe e marrjes në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private ushtrohet për një interes publik që nuk mund të realizohet ose të mbrohet në mënyrë tjetër, veçse për shkaqe dhe në respektim të procedurave të përcaktuara shprehimisht në ligj, në atë masë sa është e domosdoshme për realizimin e qëllimit të shpronësimit dhe në çdo rast kundrejt një shpërblimi të drejtë.
Nga sa më sipër kuptojmë se Ligjvënësi ka të drejtë që, për arsye të ekzistencës së interesit publik, të mund të kufizojë hapësirën e disponimit të pronës private.Me qëllim që një ndërhyrje e tillë ndaj të drejtës së pronës të jetë e justifikuar, është e domosdoshme që të ekzistojë edhe një marrëdhënie përpjestimore midis mjeteve të përdorura dhe synimit që kërkohet të realizohet.
Vlen të theksojmë se ligji ka për qëllim dhe objekt shpronësimin dhe dëmshpërblimin e pronarëve kur prona e tyre është e regjistruar rregullisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). Me VKM nr. 138/2000 “Për Kriteret Teknike Të Vlerësimit Dhe Të Përllogaritjes Së Masës Së Shpërblimit Të Pasurive Pronë Private Që Shpronësohen, Të Pasurive Që Zhvlerësohen Dhe Të Të Drejtave Të Personave Të Tretë, Për Interes Publik”, objekti i ligjit është zgjeruar edhe me pronat që janë në proces në proces legalizimi. Ligji përjashton nga dëmshpërblimi poseduesit fizikë të pronës, konkretisht persona që banojnë në ndërtime informale, për legalizimin e të cilave nuk është aplikuar asnjëherë, si dhe personat të cilët posedojnë ndërtime pa leje për të cilat kanë aplikuar në organet përgjegjëse për t’i legalizuar dhe janë skualifikuar nga procesi për shkak se ndërtimet në fjalë nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara në Ligj Nr. 9482, Datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin Dhe Integrimin E Ndërtimeve Pa Leje”. Ndërkohë që posedimi mbrohet nga norma të Kodit Civil si një e drejtë më vete edhe kur poseduesi është i ndryshëm nga pronari dhe madje kundër vetë pronarit, ligji në fjalë nuk merr parasysh dëmshpërblimin e dëmeve eventuale. Ndërkohë legjislacioni i vendeve të zhvilluara njeh dhe kompenson edhe dëmet që shkaktohen, të ndryshme nga humbja e pronës, për më tepër, kur këto dëme prekin të drejta të njeriut si e drejta për strehim.
Në një mori vendimesh të Gjykatës së Strasburgut është bërë e qartë se, e drejta e strehimit përfshin edhe rastin e godinave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, ose që ju mungon dokumenti i pronësisë.Në çështjen Affaire Bagdonavicius et autres vs Russie, Gjykata konstatoi se ankuesit kishin pësuar një shkelje të së drejtës së tyre për respektimin e jetës private, jetës familjare dhe shtëpisë (neni 8, i KEDNj). Baza e konstatimit të Gjykatës ishte se, autoritetet shtetërore nuk shqyrtuan faktin nëse prishja e shtëpive të ankuesve ishte në përputhje me parimin e proporcionalitetit përpara se të vijonin me prishjen e banesave.
Rastet e Shpronësimit.
Rastet e shpronësimit janë të përcaktuara në Ligj Nr.8561, datë 22.12.1999 Për Shpronësimet dhe Marrjen në Përdorim të Përkohshëm të Pasurisë Pronë Private Për Interes Publik (Ndryshuar me ligjin nr. 20/2016, datë 10.3.2016), dhe jane shteruese. Shpronësimi në Republikën e Shqipërisë mund të bëhet për këto shkaqe:
- Për realizimin e detyrimeve të shtetit që rrjedhin nga traktatet dhe konventat ndërkombëtare shumëpalëshe.
- Për realizimin e programeve, të projekteve dhe investimeve, të parashikuara në marrëveshje ndërkombëtare me shtrirje në territorin e disa shteteve, ku shteti ynë është palë.
- Për realizimin e projekteve dhe të investimeve, që paraqesin interes ose shtrirje territoriale kombëtare ose vendore në fushën e transporteve të çdo lloji, të energjitikës, të telekomunikacionit, të veprave ujore të çdo lloji, në shërbim dhe interes të publikut.
- Për realizimin e projekteve dhe investimeve kombëtare ose vendore, në funksion të ruajtjes së mjedisit, të shëndetit, kulturës dhe arsimit publik, si dhe të infrastrukturës, në shërbim dhe interes të publikut.
- Për realizimin e programeve dhe investimeve në fushën e mbrojtjes kombëtare.
- Për mbrojtjen e monumenteve dhe objekteve të paluajtshme të karakterit arkeologjik, historik, kulturor e shkencor, kur këto qëllime, për vetë natyrën e këtyre objekteve, nuk mund të realizohen nga pronari privat për shkak të pamundësisë objektive apo të qëndrimit subjektiv të tij, me pasojë rrezikimin real të mosrealizimit, dëmtimit ose të pengimit të funksionimit të tyre.
- Për mbrojtjen e objekteve të luajtshme me vlerë historike, arkeologjike, kulturore ose shkencore në rastet kur, edhe me realizimin e detyrimeve të organeve kompetente sipas ligjit, këto objekte rrezikohen të dëmtohen ose të zhduken.
- Për rastet kur objekte të luajtshme e të paluajtshme, për shkaqe objektive ose forcë madhore, krijojnë rrezik të përhershëm për sigurinë dhe shëndetin publik, në atë shkallë që me gjithë ndihmën e shtetit, këto rreziqe nuk mund të parandalohen nga pronari i tyre.
- Për realizimin e investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi.
Procedurat e pergjithshme qe aplikohen ne rastin e shpronesimit per interes publik.
Procesi i shpronësimit për interes publik rregullohet nga ligji nr. 8561, datë 22.12.1999 “Për Shpronësimet dhe Marrjen në Përdorim të Përkohshëm të Pasurisë Pronë Private për Interes Publik” (ndryshuar) dhe aktet nënligjore në bazë e për zbatim të tij dhe rregullohet si më poshtë:
- Sipas këtij ligji, subjekti, në favor të të cilit bëhet shpronësimi, duhet të paraqesë ne ministrinë kompetente sipas ligjit, kërkesën për shpronësim, të shoqëruar nga dokumentacioni përkatës.
- Me paraqitjen e kërkesës për shpronësim për interes publik, ministri kompetent urdhëron ngritjen e komisionit të posaçëm për ndjekjen dhe realizimin e procedurave të shpronësimit. Nga komisioni i posaçëm kryhen verifikimet e nevojshme për subjektin kërkues, në favor të të cilit kërkohet shpronësimi, për dokumentacionin e paraqitur, për shkakun e shpronësimit, si dhe administrohen aktet e pronësisë për objektet e shpronësimit, duke kryer, nëse është e nevojshme, edhe verifikime në vend.
- Kur kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues nuk paraqiten të plotësuar në afatin e caktuar ose gjenden të pambështetur, kërkesa refuzohet nga ministria dhe i njoftohet menjëherë kërkuesit të shpronësimit, i cili ka ka të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Kur kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përkatës gjenden të mbështetur në kushtet dhe kriteret e ligji nr. 8561, datë 22.12.1999, ministria kompetente vendos për pranimin e kërkesës për shpronësim, duke njoftuar menjëherë me shkrim subjektin kërkues, me të cilin brenda 10 ditëve nga njoftimi lidh një marrëveshje për procedurat e shpronësimit. Aktmarrëveshja është titull ekzekutiv.
- Brenda 10 ditësh nga lidhja e Aktmarëveshjes nga Ministria kompetente nisin procedurat për njoftimin e drejtpërdrejtë të secilit pronar a bashkëpronar të pasurive që kërkohet të shpronësohen, personave të tretë si dhe procedohet me publikimin e kërkesës për shpronësim në Fletoren Zyrtare, në një gazetë me shpërndarje në të gjithë vendin dhe në një gazetë vendore për një periudhë njëjavore.
- Personat e tretë, jo më vonë se 15 ditë nga data e plotësimit të afateve të publikimit kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre në ministrinë kompetente.
- Brenda 15 ditëve nga data e njoftimit, pronari, bashkëpronarët apo personat e tretë duhet të vënë në dijeni ministrinë kompetente, duke u shprehur nëse pranojnë kalimin vullnetar të pronësisë me kushtet e ofruara prej saj
- Lidhur me këtë Ministria kompetente në rastet kur i njoftuari ka pranuar kushtet e ofruara prej saj, brenda 15 ditëve nga marrja e përgjigjes nga ai por në çdo rast jo më përpara se 1 muaj nga data e fundit e afatit të publikimit të kërkesës, kryen me të njoftuarit, sipas rastit, veprimet për kalimin e pronësisë në favor të shtetit kundrejt shpërblimit apo pagesës së masës të kompensimit për të drejtat e të tretëve mbi pasuritë pronë private që shpronësohen, si dhe zhvlerësimin për shkak të shpronësimit të pasurive të tjera pronë private që nuk janë objekt i shpronësimit.
- Ministri kompetent pas mbushjes së një afati një mujor nga plotësimi i afateve të publikimit kërkon në Këshillin e Ministrave marrjen e vendimit të shpronësimit. Ngritja e padive ose shqyrtimi gjyqësor i një çështjeje civile, lidhur me pasurinë pronë private që kërkohet të shpronësohet, nuk përbën shkak ligjor për të kërkuar apo vendosur nga gjykata ndërprerjen ose pezullimin e procedurave të shpronësimit.
- Komisioni i posaçëm, që ngrihet nga ministri kompetent, kryen veprimet për identifikimin dhe vlerësimin përfundimtar, si dhe për llogaritjen e masës së shpërblimit për objektet që shpronësohen.Në vlerësimin e pasurive pronë private që shpronësohen, të pasurive të tjera që zhvlerësohen apo të të drejtave të të tretëve që duhet të kompensohen për shkak të shpronësimit, sipas natyrës së tyre, merren parasysh vlera fillestare e tyre, amortizimi, destinacioni, vendndodhja e objektit, indekset e ndryshimit të çmimeve të tregut dhe të monedhës.
- Me përfundimin e procedurave paraprake të shpronësimit, ministri kompetent i paraqet Këshillit të Ministrave propozimin për shpronësim. Këshilli i Ministrave vendos shpronësimin në rastet kur propozimi për shpronësim gjendet i bazuar në ligj dhe në fakt. Kur për kërkesën e pranuar nga ministria kompetente, refuzohet shpronësimi nga Këshilli i Ministrave, kërkuesit të shpronësimit i kthehen nga ministria kompetente të gjitha fondet e depozituara për procedurën e shpronësimit. Kur kërkesa nga Ministria Kompetente pranohet, Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin u njoftohet nga ministria kompetente drejtpërdrejt pronarëve të shpronësuar, pronarëve të pasurive që zhvlerësohen nga shpronësimi dhe personave të tretë, të drejtat e të cilëve kompensohen për shkak të shpronësimit, të cilët vetëm lidhur me masën e shpërblimit të caktuar.
- Ndaj këtij vendimi pronari, bashkëpronarët apo personat e tretë kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja dijeni, në të kundërt vendimi kthehet në titull ekzekutiv.
- Në rastet kur pasuritë pronë private të shpronësuara duhet të regjistrohen sipas ligjit, ky regjistrim duhet të kryhet nga ministri kompetent brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin.
Çfarë të drejtash cënohen përmes procesit të shpronësimit dhe si garantohet mbrojtja efektive e këtyre të drejtave të individëve apo personave juridikë qe preken nga shpronësimi për interes publik.
E drejta e gëzimit të pronës private është e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji. Kjo garanci kushtetuese u lejon pronarëve të gëzojnë tagrat e plota të pronësisë për pronat e tyre dhe në të njëjtën kohë mbron pronarin privat nga çdo veprim arbitrar. Shteti nuk mund të përdorë pushtetin e tij për të marrë pronën e subjekteve private, përveçse në rastet e parashikuara në Kushtetutë e ligje, si shpronësimi për interes publik dhe vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë, real dhe në përputhje me kushtet e tregut për pasurinë që shpronësohet për qëllime të interesit të gjerë publik. Garancia kushtetuese për mbrojtjen e të drejtës së pronësisë qëndron në themel të çdo procedure shpronësimi, përndryshe cenimi apo shkelja e kësaj garancie nga organet shtetërore në kuptim të nenit 41 paragrafi 5 të Kushtetutës mund të bëhet objekt kundërshtimi në gjykatë, ku pronari i prekur nga shpronësimi, në rast se çmon se dëmshpërblimi përkatës nuk është i drejtë, mund të godasë aktin e shpronësimit në rrugë gjyqësore duke kërkuar një shpërblim të drejtë për pronën e tij që do të kalohet në pronë publike.
Në çështjen “Ramadhi e të tjerë kundër Shqipërisë”, Gjykata përsëriti se: “Shtetet kanë një fushë të gjerë zbatimi të kufirit të vlerësimit për të përcaktuar se çfarë është në interesin publik, sidomos kur bëhet fjalë për kompensimin për shtetëzimet apo shpronësimet, meqenëse legjislatura vendase ka një liri të madhe vlerësimi për zbatimin e politikave social-ekonomike. Sidoqoftë, ky kufi vlerësimi nuk është i pakufizuar dhe të ushtruarit e tij i nënshtrohet shqyrtimit nga institucionet e Konventës” (§ 79).
Për sa më sipër me ligjin nr.8561/1999 “Për shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, është rregulluar në mënyrë të detajuar e drejta e shtetit për të shpronësuar ose për të marrë në përdorim të përkohshëm për interes publik pasuritë e personave fizikë ose juridikë privatë, duke mbrojtur të drejtat dhe të interesat e pronarëve përkatës. Fryma e ligjit është se pronari i pasurisë duhet të kompensohet me vlerën e tregut për pronën që shpronësohet (neni 41, pika 4 i Kushtetutës), por kjo vlerë nuk mund të jetë dhe nuk mund të dalë jashtë konceptit të qëllimit të shpronësimit. Kjo vlerë duhet të jetë në proporcion të plotë me qëllimin për të cilin realizohet shpronësimi, si dhe të përfitimit që ka komuniteti nga ky shpronësim. Në këtë kuptim, në një mosmarrëveshje që ka lindur nga moszbatimi i drejtë i kuadrit ligjor “Për shpronësimin publik” elementet që duhet të mbahen parasysh nga gjykatat gjatë gjykimit të mosmarrëveshjes janë verifikimi: (i) ligjshmërisë së titullit të pronësisë të pronarit, (ii) përfitimet që ka komuniteti dhe vetë pronari që shpronësohet nga realizimi i veprave të reja, siç mund të jetë rritja e vlerës së pronës së tij që mund të ketë në këtë zonë, rritja e cilësisë së jetës, etj., (iii) vlera e kompensimit duhet të jetë e kënaqshme për të shpronësuarin, por jo ekstreme.
Cilët subjekte përfitojnë të drejtën e kompensimit, çfarë kriteresh duhet të plotesojnë ata për të përfituar kompensimin?
E drejta për kompensim u njihet subjekteve të shpronësuara, të cilët me akte shkresore, fatura, vendime gjyqësore, dokumente konfiskimi nga shteti, etj, vërtetojnë që shteti u ka marrë padrejtësisht sende të paluajtshme. Subjektet të cilët kanë të drejtë për kompensim në raste të shpronësimit për interes publik nga sa më sipër janë subjektet të cilët kane titull pronësie te regjistruar mbi pasuritë e shpronësuara.
Megjithatë për shkak të situatës së vecantë në vendin tonë lidhur me ndërtimet pa leje legjislatori ka parashikuar përjashtimisht edhe përfshirjen e pasurive të cilat janë në proces legalizimi. Procesi i legalizimit të objekteve informale lindi si një domosdoshmëri e kohës për bërjen legale të objekteve pa leje të ndërtuara në territore të ndryshme të vendit, në zona me pronar privat ose shtet, të cilat janë ndërtuar pa një plan urbanistik të miratuar më parë nga pushteti qendror apo vendore dhe ku janë zaptuar toka bujqësore, zona historike, muzeale dhe arkeologjike, rrugë, oborre shkollash, kanale vaditëse dhe kullues, troje publik, zona bregdetare, etj. Sipas nenit 3 te ligjit: nr. 9482, Datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje” Ndërtim pa leje është objekti, për të cilin është përfunduar karabinaja, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike dhe/ose funksione të tjera, për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi për planifikimin e territorit. Ky ligj parashikon legalizimin e ndërtimeve informale dhe të objekteve me leje, me shtesa informale në objekt si dhe kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore, ku është ngritur ndërtimi pa leje, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Për shkak të numrit të lartë të subjekteve të cilët kanë pasuri në proces legalizimi, për të siguruar të drejtat e tyre në rast shpronësimi për interes publik VKM nr. 138, dt. 23.03.2000, parashikon "Kriteret teknike të vlerësimit dhe të përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive pronë private që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të drejtave të personave të tretë, për interes publik”, i ndryshuar, Neni 7/1 i tij për investimet në akse rrugore kombëtare, përcakton se shpronësohen edhe zotëruesit privatë të objekteve/pasurive të paluajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.Enti që bën shpronësimin, ka të drejtë të kryejë procedurat e shpronësimit ndaj zotëruesve të këtyre pasurive, në rastet kur:
- Zotëruesit e objektit janë në proces administrativ pranë ALUIZNI-t sipas ligjit nr. 9482, date 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar;
- Ndërtimi pa leje ose shtesa pa leje, që zotëron subjekti që shpronësohet, gëzon statuset i vetë-deklaruar e i kualifikuar më parë për leje legalizimi nga ALUIZNI, sipas të gjitha kritereve të vendimit nr. 438, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, të ndryshuar;
- Zotëruesit e objektit janë në proces për t’u pajisur me leje legalizimi pasi disponohet një akt i Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare, në zbatim të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore;
- subjekti zotërues ka ngritur objektin në tokë të tij/shtetit dhe nuk është s’kualifikuar nga procedura e legalizimit.
Nga çasti që hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave dhe zotëruesi i objektit pa leje apo shtesës pa leje kryen me Ministrinë kompetente veprimet për kalimin e pronësisë në favor të shtetit kundrejt shpërblimit procedurat e mësipërme të shpronësimit quhen të kryera.
Të gjitha detyrimet ndaj personave të tjerë dhe të tretëve, në lidhje me të drejtat e pronës, zgjidhen nga zotëruesi. Përjashtimisht, ALUIZNI qendror, për të gjitha dosjet e subjekteve vetë-deklaruese, të kualifikuar, arkivon me shënim të veçantë dosjen dhe pezullon çdo veprim administrativ të mëtejshëm me marrjen e urdhërimit për pezullim nga ministria e linjës. Këto dosje të ALUIZNI-t arkivohen si praktika të veçanta pas dërgimit nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit të listës së pasurive dhe numrit rendor të subjektit në vendimet respektive të Këshillit të Ministrave dhe janë subjekt depozitimi në Arkivin e Shtetit.”
Ne legjislacionin shqiptar nuk gjendet ndonje rregullim i posacem ligjor lidhur me menyren e kompensimit apo strehimit per ata subjekte te cilet jetojne ne ndertesa informale te paregjistruara dhe qe banesat e te cileve preken nga zhvillime infrastrukturore per interes publik.
Llogaritja e mases së kompensimit në rastet e shpronësimit për interes publik.
Themeli mbi të cilin bazohet shpronësimi i pronave është interesi publik dhe kompensimi me një shpërblim të drejtë i tyre (neni 41.1 i Kushtetutës). U takon organeve të autorizuara nga ligji “Për shpronësimet dhe për marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik” për të bërë, rast pas rasti, vlerësimin si për ekzistencën e problemit të interesit publik që përligj kufizimin e të drejtës së pronës, ashtu edhe të masave që duhen marrë për të ndrequr situatën, nëpërmjet kompensimit të drejtë të pronës. Çështja e detyrimit për dëmshpërblim në vetvete dhe kufijtë e tij përcaktohen nga rrethanat e secilit rast konkret.
Konkretisht Neni 19 i ligjit përcakton se “Mbi bazën e vlerës që, rezulton nga vlerësimi përfundimtar i objekteve që shpronësohen, përllogaritet masa e shpërblimit përkatës, në masë të njëjtë me vlerën e plotë të tij”.
I gjithë kuadri ligjor dhe nënligjor në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë është mbështetur në supozimin se shpronësimi do të bëhet me vlerën e tregut si tregues i shpërblimit të drejtë dhe vlera e tregut përcaktohet me vendime të Këshillit të Ministrave, bazuar në harta vlerash të përgatitura nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me informacionin e marrë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Caktimi i çmimit të tokave në Shqipëri normohet me VKM Nr. 658, datë 26.9.2012 “Për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë” e cila është burimi i vetëm zyrtar për përllogaritjen e vlerës së pasurive të paluajtshme.”
Kjo VKM përcakton se: Përllogaritja e vlerës së pronës bëhet sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të përcaktuara në aneksin 1/1 të kësaj metodologjie, ku: vlera e pronës (VP) = çmimi i kontratës së shitjes. Çmimi i kontratave të shitjes nënkupton çmimin e tregut, sipas llojit të pasurisë dhe qëllimit të përdorimit të saj. Çmimi i tregut nxirret nga të dhënat zyrtare të kontratave të shitjes të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Metodologjia përcakton edhe llojet e pasurive që do t’i nënshtrohen kësaj metodologjie, vlera e tregut të të cilave përcaktohet nga kontratat e shit-blerjes. Për sa më sipër vlerësimi i cmimit të pronave bëhet sipas teknikave të vlerësimit masiv, duke marre si bazë kontratat e regjistruara në hipotekë të pronave të ngjashme të ndodhura në të njëjtin vend. Duke qenë se vendi ynë njihet për një kulturë deklarimi çmimesh transaksionesh të pasurive të paluajtshme (por jo vetëm) të pronave më të ulëta se cmimi faktik në mënyrë për të shmangur pagimin e taksave edhe tatimeve në shtet, marrja si etalon vlerësimi e kontratave të ngjashme të regjistruara në ZRPP është problematike lidhur me shpronësismin e pasurive të paluajtshme në një vlerë të drejtë.
Për sa më sipër shpronësimet për interes publik janë kufizime sensitive të së drejtës kushtetuese të pronësisë të cilat duhet të trajtohen me kujdesin dhe vemendjen e duhur nga organet shtetërore në mënyrë që të mos perceptohen arbitrare nga individët.
*****
[1] Ligj Nr.9235, datë 29.7.2004 për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës- neni 1.
[2] [2] MANUAL “PËR TË DREJTËN E PRONËSISË” Ushtrimi efektiv i të drejtave për kthimin dhe kompensimin e pronave në Shqipëri – Këshilli i Europes.