SHTËPITË ME ZERO ENERGJI – BANESAT E SË ARDHMES.

 

Emetimet e gazrave serë janë njohur si një nga shkaktarët kryesorë të fenomeneve të ngrohjes globale. Ndërtimet përbëjnë më shumë se 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë dhe 36% të emetimeve të përgjithshme të dioksidit te karbonit në Evropë. Studimet e fundit tregojnë se strehimi është një nga sektorët më të rëndësishëm,  përgjegjës për ndikimet ekologjike botërore.

 

Ndryshimi i klimës rrit frekuencën dhe intensitetin e fatkeqësive natyrore, shpërthimet e sëmundjeve dhe krizat njerëzore si varfëria, uria, migrimi masiv dhe lufta. Sipas një studimi të kohëve të fundit, nëse njerëzimi nuk redukton ndjeshëm emetimet e  dioksidit te karbonit [CO2 ], deri në fund të shekullit, shanset për një ngjarje të nivelit apokaliptik mund të jenë nga 1 në 20.[1] Duke marrë parasysh fenomenin e ngrohjes globale dhe nevojën për të reduktuar shkaqet dhe efektet e saj, qasja ndaj ndërtimeve me eficencë energjitike është bërë gjithnjë e më e rëndësishme. Gjithashtu, ndryshimet e dukshme të temperaturave si rezultat i ngrohjes globale rezultojnë në konsum më të lartë të energjisë për të ruajtur temperaturë të qëndrushme nëpër banesa, duke i bërë ndërtimet me eficensë të lartë energjitike një alternativë e detyrueshme për të mos përkeqësuar situatën mjedisore.

 

 

Ndërtesat me eficensë të lartë energjitike kombinojnë përdorimin efikas të energjisë dhe prodhimin e brendshëm të energjisë të rinovueshme në mënyrë që të mbulojnë konsumin e energjisë së brendshme nga një ndërtesë për një periudhë të caktuar kohe (përgjithësisht llogaritet për një periudhë një vjecare). Në thelb një ndërtesë me eficense te larte energjitike është një ndërtim që gjeneron aq energji sa shpenzon. Kur vjen fjala për gjenerimin e energjisë, burimet kryesore në ditët tona janë dielli, era dhe burimet gjeotermeale.Kurse për sa i përket konsumit të energjisë theksi bie mbi teknikat e ndërtimit inteligjent, materialet dhe teknologjitë për të minimizuar humbjet e nxehtësisë dhe për të përmirësuar efikasitetin e energjisë.

 

 

Arritja e eficensës energjitike është një objektiv ambicioz dhe gjithnjë e më i prekshëm që po fiton popullaritet kudo nëpër botë, si nga iniciativa e sektorit privat ashtu edhe nga masat e marra nga Institucionet publike për të lehtësuar tranzicionin drejt ndërtimit të këtyre ndërtesave. 

 

 

Ndërtimet me zero energji mund të jenë disa llojesh në varësi të bilancit të energjisë së përdorur. Në rastet kur energjia e prodhuar nga ndërtesa është me e vogël se sa energjia e konsumuar (psh 80% e konsumit të energjisë mbulohet nga energjia e rinovueshme që prodhon vetë ndërtesa) do të konsiderohet se kemi të bëjmë me një ndërtim me Energji Përafërsisht Zero. Në rastet kur energjia e rinovueshme e prodhuar nga ndërtesa është në të njejtin nivel me energjinë e konsumuar për një periudhë të caktuar, do të konsiderohet si një ndërtesë me Zero Energji. Gjithashtu në rast se ndërtesa prodhon me shumë energji të rinovueshme se sa konsumon, dhe tepricat e kësaj energjie shpërndahen në rrjet, do të konsiderohet se kemi të bëjmë me një ndërtim Plus Energji.

 

 

Parlamenit Europian zhvilloi konceptin e ndërtimeve me Energji Përafërsisht Zero karakterizuar nga kërkesë e ulët për energji nga burimet e jashtme dhe një prodhim i lartë i energjisë së rinovueshme nga vetë ndërtesa. Në fakt, ndërtimet eficente në energji janë një hap drejt synimit ambicioz për të ulur 80% të emetimeve të karbonit në atmosferë deri në vitin 2050.

 

 

Në vitin 2007, liderët e Bashkimit Evropian (BE) arritën në një vendim për të krijuar dhe zbatuar një paketë synimesh të quajtur 20/20/20 "për të përmbushur objektivat e BE-së për klimën dhe energjinë deri më 2020. Kjo do të thotë se deri në vitin 2020 duhet të arrihet një ulje prej 20% e shkarkimeve të gazrave serë në krahasim me  vitin 1990, duhet të rritet me 20% pjesa e energjisë të konsumuar nga burimet e ripërtëritshme dhe të arrihet një përmirësim prej 20% në efikasitetin e energjisë në krahasim me Standartin ekzistues të eficenës energjitike {Business as Usual, (BaU)}. Ndërtesat janë përgjegjëse për 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë dhe 36% të emetimeve të CO2 në BE, prandaj ato luajnë një rol kyç në arritjen e qëllimeve të qëndrueshmërisë së BE-së. Stoku aktual i ndërtesave gjithashtu ofron potencialin më të madh të kursimeve krahasuar me sektorët e tjerë Zhvillimi dhe miratimi i koncepteve të ndërtimit të energjisë efikase nuk është një praktikë e re në BE. Duke qenë se synimet e qëndrueshmërisë ne lidhje me nivelet e ndotjes nuk janë arritur, shtetet anëtare evropiane po fillojnë të lëvizin nga konceptet e ndërtimit të energjisë së ulët ose të Passivhaus drejt një koncepti të ndërtimit të banesave me pothuajse energji zero (nENZ). Nga vendet anëtare do të kërkohet që ndërtesat e reja të ndërtohen si nENZ nga 31 dhjetori i vitit 2020 dhe të gjitha ndërtesat e në pronësi ose në përdorim të autoriteteve publike duhet të përshaten me kriteret e ndërtimeve me energji thuajse zero duke nisur nga 31 dhjetori i vitit 2018.

 

 

Kjo do të thotë që ndërtimet nENZ do të kenë së shpejti një kërkesë të lartë. Megjithëse teknologjia dhe mjetet për të arritur statusin optimal me pothuajse zero- energji tashme ekziston, procesi i tranzicionit paraqet sfidat e veta e si rrjedhoje terreni duhet të përgatitet paraprakisht nga vendet e BE. Përgatitja përfshin çdo gjë, nga adaptimi i industrisë së ndërtimeve deri në përcaktimin e përkufizimeve, parimeve te llogaritjes, regulloreve, iniciativave qeveritare dhe detajeve te tjera të nevojshme për të krijuar një strukturë të qëndrueshme për një tranzicion të lehtë.

 

 

Shtetet anëtarë do të duhet të prodhojnë raporte të detajuar progresi cdo 3 vjet, mbi bazën e të cilave Komisioni Europian do të vendosë nëse progresi po lëviz me shpejtësinë e nevojshme, ose në të kundërt do të udhëzojë shtetet europiane të marrin masa shtesë për të shtuar efikasitetin.

 

 

Duke qenë se koncepti i ndërtimeve me energji neto zero (nENZ) do të implementohet në të gjitha shtetet anëtare, është e nevojshme të vlerësohen kushtet e ndryshme klimaterike. Kjo do të thotë që zgjedhje më strikte lidhur me eficencën energjitike duhet të aplikohen në vende me klimë më të ftohtë në mënyrë që të shfaqet performancë e ngjashme energjitike me vendet më të ngrohta. 

 

 

 

 

 

  • Avantazhet e ndërtimeve me zero energji.

 

 

Megjithëse kanë një kosto më të lartë ndërtimi ndërtesat me energji zero kanë një numër avantazhesh në këndvështrimin afatgjatë.

 

 

 

 

 

  1.  Faturat e Energjisë

 

 

Kursimi në faturat e energjisë është një nga përfitimet kryesore, dhe arsyeja që motivon shumë njerëz për të ndërtuar banesa të Energjisë Neto Zero. Shtëpitë me Energji Neto Zero nuk do të kërkojnë energji nga rrjeti energjetik.

 

 

Në fakt, disa shtëpi të ndertuara mbi bazen e konceptit te Energjise Neto Zero, janë projektuar në mënyrë që të mbulojnë jo vetëm furnizimin me energji për konsum të brendshëm, por  të jenë në gjendje të kthejnë edhe energji të pastër përsëri në rrjet. Pronarët e shtëpive paguhen në përputhje me kontributet e tyre. Shumica e pronarëve të shtëpive zgjedhin të qëndrojnë të lidhur në rrjet për një tarifë minimale mujore në rast të situatave emergjente; megjithatë, disa banorë e shohin këtë të panevojshme. Kthimi i investimit për të bërë një shtëpi  me Energji Neto Zero është më i dukshëm në këtë përfitim, pasi është një investim që kthehet në mënyrë afatgjatë. Implementimi i kësaj teknologjie ul koston e përgjithshme të mirëmbajtjes së një prone, për shkak të përmirësimit të efiçiencës së energjisë duke sjellë padiskutim edhe zvogëlim të dukshëm  të kostos së  jetesës

 

 

 

 

 

  1. Rrit Vlerën e Pronës.

 

 

Tregu i pasurive të paluajtshme ndikohet dukshëm nga tendecat e reja, dhe me rritjen e popullaritetit të shtëpive të Energjisë Neto Zero, do të rritet edhe vlera e tyre e rishitjes. Blerësit janë të vetëdijshëm se do të kursejnë vazhdimisht në faturat e energjisë dhe kështu janë të gatshëm për të investuar në një shtëpi të Energjisë Neto Zero. Kjo vjen edhe sepse jo gjithkush mund të ketë kohë, durim ose gatishmëri për të qenë pjesë e procesit të ndërtimit dhe thjesht do të preferonte blerjen e një shtëpie me energji Neto Zero. Koha, përpjekja dhe vlera që vihet në ndërtimim kompensohet në çmimin e përfituar nga pronarët origjinalë, nëse ata zgjedhin të shesin shtëpinë e tyre me ENZ. Ndër të tjera vlera e një ndërtese të Energjisë Neto Zero në lidhje me ndërtimet e ngjashëm në tregun e pasurive imobiliare do të rritet sa herë rritet kostoja e energjisë. Kufizimet e ardhshme legjislative, dhe taksat qe lidhen me emetimin e karbonit në ajër, që priten të implementohen nga legjislacionet e vendeve të BE dhe jo vetëm, mund të ndikojnë negativisht vlerën e ndërtimeve të zakonshme.

 

 

  1. Një hapsirë e rehatshme për të jetuar. 

 

 

 

 

 

Jetesa ne nje shtepi me Energji Neto Zero ka një karakteristikë dominuese- cilësia e jetesës është e pakrahasueshme. Kjo ndodh për shkak të cilësisë së ajrit të brendshëm, temperaturave të brendshme të qëndrueshme dhe me shpërndarje uniforme, si dhe izolimit akustik nga zhurmat e jashtme . Në qytet e zhurmshëm dhe plot ndotje sigurimi i një ambienti të tillë për të jetuar dhe punuar është tejet i rëndësishëm.

 

 

            Gjithashtu shtëpite me Energji Neto Zero kanë impakt më të ulët mjedisor, kosto më të      ulëta operative dhe mirëmbajtjeje, si dhe rezistencë më të mirë ndaj ndërprerjeve të         energjisë dhe fatkeqësive natyrore. Por ekzistojnë edhe disavantazhe për këto banesa të          cilët përfshijnë: 

 

 

  • Kosto fillestare e ndërtimit është më e lartë

 

 

  • Shumë pak dizenjues dhe ndërtues kanë aftësitë e nevojshme profesionale dhe eksperiencën për të realizuar një ndërtim ENZ

 

 

  • Ndryshimet klimaterike qe shkaktohen nga ngrohja globale limitojnë aftësinë e ndërtesës ti përshtatet rritjes ose uljes së paparashikuar të temperaturave. Ndërtesat me energji neto zero janë të ndërtuara në mënyrë që ti përshtaten kushteve klimaterike specifike të një vendi, dhe ndryshimet drastike të temperaturave janë rrezik për mirëfunksionimin e tyre. 

 

 

Arritja e standarteve te Energjisë Neto Zero në ndërtimet e reja ose rinovimet e ndërtimeve ekzistuese mund të arrihet duke kombinuar përmirësime të ndryshme, përfshirë këtu dizajnin e integruar të ambienteve, përshtatjet për furnizim me energji të rinovueshme si dhe përmirësimet me qëllim ruajtjen e energjisë.

 

 

  • Cilët janë elementët kryesorë për të pajisur një shtëpi sipas standarteve te Energjisë Neto Zero.

 

 

Me një përshtatje efikase të përdorimi të paneleve diellore fotovoltaike dhe ngrohjes dhe ftohjes gjeotermale, e kombinuar me super izolimin (muret prej betoni të izoluar, xhamat e trefishtë etj) dhe  sistem ventilimi, këto ndërtesa konsumojnë më pak energji se sa prodhojnë. Sistemet e përshkruara më poshtë punojnë së bashku për ta bërë shtëpinë e së ardhmes një realitet.

 

 

Ø  Panelet Diellore Fotovoltaike

 

 

Duke u pozicionuar në çatinë jugore të ndërtesës, një sistem zakonisht 8 kilovat, do të prodhojë të gjithe energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat e një familjeje mesatare. Në shumë vende përmes një kontrate mes pronarëve të ndërtimeve efikase në energji dhe kompanive të shërbimeve energjitike, i mundësohet pronarëve të shtëpive që të mbulojë kërkesat për energji nëpërmjet paneleve diellore gjatë ditës dhe të marrë energji nga rrjeti gjatë natës.Përmes matjes “neto” kompania e shërbimeve energjitike mat konsumin neto të energjisë elekrike gjatë një viti, për faturimin përfundimtar. Nëse nga matjet rezulton se ndërtesa ka prodhuar më tepër energji se sa ka konsumuar, e si rezultat një pjesë e kësaj energjie është kthyer automatikisht në rrjet për tu rishpërndarë, kompania e shërbimeve energjitike do të paguajë për çdo energji të tepërt të prodhuar gjatë vitit (me çmime të shitjes me shumicë).

 

 

Ø  Ngrohje dhe ftohje gjeotermale

 

 

Për shkak të efikasitetit të jashtëzakonshëm që mund të fitohet duke përdorur temperaturat konstante të tokës, një pompë gjeothermale, e quajtur ndryshe pompë ngrohjeje e burimit të tokës (GSHP) siguron të gjitha nevojat për ngrohje dhe ftohje të një ndërtese, dhe kërkon shumë më pak energji elektrike sesa sistemet më konvencionale.

 

 

Një pompë ngrohëse gjeotermale është një sistem ngrohje qendrore dhe/ose ftohje që transferon nxehtësinë nga toka.  Kjo pompë e përdor tokën gjatë gjithë kohës, pa ndonjë ndërprerje, si një burim ngrohje (në dimër) ose një përthithës nxehtësie (në verë). Ky dizajn shfrytëzon temperaturat e moderuara në brendësi të tokës për të rritur efikasitetin dhe për të zvogëluar kostot operacionale të sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes dhe nëse kombinohet me panelet diellore mund të formojë një sistem gjeosolar me efikasitet edhe më të madh.

 

 

Në varësi të koordinatave gjeografike, temperatura nën sipërfaqen e sipërme 6 metra të Tokës mban një temperaturë pothuajse konstante midis 10 dhe 16°C Ashtu si frigoriferi ose kondicioneri, këto sisteme përdorin pompën e nxehtësisë për të mundësuar transferimin e nxehtësisë nga toka. Pompat e nxehtësisë mund të transferojnë nxehtësi nga një hapësirë ​​e ftohtë në një hapësirë ​​të ngrohtë, kundër drejtimit natyror të rrjedhjes, ose mund të rrisin rrjedhën natyrore të nxehtësisë nga një zonë e ngrohtë në një të ftohtë. Pompat e nxehtësisë nga burimet ajrore zakonisht janë më efikase në ngrohje se sa ngrohësit e pastër elektrikë. Një pompë ngrohëse gjeotermale shkëmben nxehtësi me tokën, duke rezultuar shumë më efikase se pompat e zakonshme sepse temperaturat nëntokësore janë më të qëndrueshme se temperaturat e ajrit gjatë vitit. Ndryshimet sezonale nuk ndjehen me thellësi dhe zhduken tërrësisht në thellësinë nën 7 metra deri në 12 metra për shkak të inercisë termike. Ashtu si në një shpellë, temperatura në shtresën e cekët të tokës është më e ngrohtë se ajri sipër gjatë dimrit dhe më e freskët se ajri në verë. Një pompë ngrohje e burimit të tokës, thith nxehtësinë në dimër (për ngrohje) dhe transferon nxehtësinë përsëri në tokë gjatë verës. Disa sisteme janë projektuar për të vepruar vetëm në një regjim, ngrohje ose ftohje, në varësi të klimës.

 

 

Ø  Super Izolimi dhe Dritaret me Efikasitet të lartë.

 

 

Tradicionalisht, dritaret kanë qenë hallka më e dobët e zinxhirit të efiçiencës së energjisë në një ndërtesë. Fitimi dhe humbja e nxehtësisë përmes dritareve është përgjegjëse për 25% -30% të shpenzimit të energjisë në një ndërtesë. Izolimi i një shtëpie, mureve dhe dritareve do të rezultojë shumë fitimprurëse në një këndvështrim afatgjatë.  Zgjedhja e dritareve është mjaft e rëndësishme. Këshillohet që në klimat e ftohta të zgjidhen dritare të mbushura me gaz me veshje të pakta për të zvogëluar humbjen e nxehtësisë. Në klimat e ngrohta është e këshillueshme të zgjidhen dritaret me shtresa për të zvogëluar fitimin e nxehtësisë. Dritaret me një U-faktor të ulët ofrojnë rezistencë më të mirë termike në klimat e ftohta. Faktori U është shkalla në të cilën një dritare lejon rrjedhjen e nxehtësisë jo-diellore. Në klimat e ngrohta këshillohen dritare me një koeficient të ulët të ngrohjes diellore (SHGC). SHGC është masa e rrezatimit diellor të asimiluar përmes një dritareje. SHGC-të e ulëta zvogëlojnë fitimin e nxehtësisë. Për vendet me klima të buta, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë këshillohen dritare me faktor U dhe SHGC të ulët, për të maksimizuar kursimin e energjisë.

 

 

Për efikasitet optimal të energjisë, një ndërtesë duhet të jetë e izoluar siç duhet nga çatia deri në themel, përfshirë këtu dyshemetë. Një sistem i mirëfilltë termoizolimi synon arritjen e një temperature të duhur jo vetem të ajrit por edhe të mureve, dyshemeve dhe tavaneve. Sistemi termoizolues është sistem i përshtatshëm për veshjen e fasadave të jashtme të ndërtesave të reja dhe të vjetra. Izolimi mund të bëhet në disa mënyra, përfshirë izolim bituminoz, Pllakat termo-izoluese, izolim polisteroli etj.

 

 

Ø  Sistemi i Ventilimit për Rikuperimin e Nxehtësisë.

 

 

Sistemet e zakonshme të ventilimit (Sistemet e Ajrit të Kondicionuar etj) janë problematik pasi rritin kostot e ngrohjes dhe ftohjes ndërsa ulin komfortin e brendshëm të një banese.  Ashtu sikur ndodh me ajrimin e një dhome duke hapur një dritare, sistemet e ventilimit mund të dëmtojnë performancën e energjisë sepse ato nxjerrin ajrin pa ruajtur nxehtësinë. Sistemet e ventilimit Për Rikuperimin e Nxehtësisë, përdoren për të "ripërdorur" energjinë nga ajri i nxehtë, energji që humbet tërrësisht në shtëpitë konvencionale. Sistemi i ventilimit për Rikuperimin e Nxehtësisë gjithashtu siguron cilësi të qëndrueshme të ajrit, si një përfitim shtesë.

 

 

Për sa më sipër shtëpitë me zero energji janë një arritje e teknologjisë së ndërtimit, me përfitime ekonomike për pronarin dhe përfitime afatgjata për mjedisin.Cdo brez lë shenjën e tij në histori, por duke gjykuar nga burime të sigurta ne po lëmë një shenjë masive karboni, duke kontribuar në mënyrë të pamëshirshme në plakjen e tokës. Me shtimin e luhatjeve klimaterike, rritjen e nivelit të oqeaneve dhe numrit te specieve të tëra që kanë shkuar në zhdukje, vdekshmërisë për shkak të thatësirave etj, është vetëm çështje kohe para se vendet e privilegjuara, si kontribueset më të mëdha të ndotjes mjedisore, të kuptojnë se borxhi ndaj planetit do t”i kushtojë shtrenjtë gjithë racës njerëzore, dhe është i panegociueshëm.

 

 

Shtëpitë e energjisë zero mund të jenë më të vështira për t’u realizuar se sa ndërtesat e zakonshme, dhe përfitimet si në sferën infividuale ashtu në atë globale kërkojnë kohën e tyre për tu pjekur dhe për të dhënë fryte, por janë një rrugë e domosdoshme për të kontibuar në këtë kauzë të madhe që e përfshin gjithë njerëzimin. Në kushtet ku bota që njohim po shfaq shenjat e para të sëmundjes globale, si rezultat i një keqtrajtimi sistematik te resurseve natyrore, është detyrë morale e gjithësecilit të kontribojë në pakësimin e shkaqeve që sjellin ndotje mjedisore.

 

 

 

 

 

                                                                                *****