SI TË BËHESH NJË AGJENT IMOBILIAR I SUKSESSHËM

 

Profesioni i agjentit imobiliar  konsiderohet si një ndër  profesionet më atraktive  kjo për faktin e të ardhurave që realizohen përmes  këshillimit dhe ndërmjetësimit të transaksioneve me objekt pasuritë e paluajtshme. E ndërsa në Shqipëri ende nuk ka një infrastrukturë ligjore që të rregullojë statusin e agjenteve imobiliare, në shumë vende të zhvilluara ky është një profesion që gjen rregullim specifik ligjor, sa i përket kualifikimit profesional apo dhe vetë aktivitetit të ndërmjetësimit (shiko për më gjërë artikullin “Loja pa rregulla e Agjensive Imobiliare” http://realpas.al/blog/24/loja-pa-rregulla-e-agjensive-imobiliare ). Megjithatë, profesioni i Agjentit Imobiliar ka marrë një rëndësi të vecantë vitet e fundit edhe në vendin tonë. Për të qënë i sukseshëm në ushtrimin e këtij profesioni, duhet që së pari ta duash punën që bën, t’i dedikosh kohën e mjaftueshme, jo rrallëherë edhe më shumë, dhe t’i përkushtohesh me vullnetin e mire që do t’i arrish te gjitha qëllimet që i ke vënë vetes në këtë rrugëtim professional.

 

Në vijim po ju parashtrojmë 9 këshilla që do t’i vijnë në ndihmë suksesit tuaj si agjent imobiliar.

 

 

Së pari, bindu që je lindur për të qënë agjent imobiliar. Sigurohu që nuk e ke zgjedhur këtë profesion vetëm për hir të të ardhurave që ofron. Nëse nuk ke aftësi për të ndërtuar marrdhënie të forta dhe të frytshme me klientët, për të lidhur kontrata, për të menaxhuar punën me shitësit dhe blerësit, atëherë hiq dore. Ky nuk është profesioni yt.

 

 

Ky është një profesion që kërkon kohë dhe përkushtim. Nuk është një punë që mund të bëhet part-time, nuk mund ta konsideroni si një hobi tuajin, prandaj bëjeni tuajin këtë profesion vetëm nëse i përkushtoheni plotësisht.

 

 

Së dyti, zgjidh agjensinë e duhur imobiliare. Duke qenë se numri i agjensive imobiliare po rritet cdo ditë, bëhu vigjilent dhe zgjidh të duhurën, atë që i përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive tuaja. Para se të vendosësh, konsultohu me përgjigjet e këtyre pyetjeve. Cila agjensi ofron programe trajnimi për agjentët? A i mbulon agjensia shpenzimet në rastet trajnimit? Me cfarë norme komisioni paguhet agjenti? A do të paguheni direkt pas mbylljes së një transaksioni apo në një moment tjetër të rënë dakord me agjensinë? Cfarë rëndësie ka agjensia që ju keni zgjedhur në industrinë përkatëse? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’jua bëjnë më të thjeshtë të vendosni se me cilën agjensi doni të bashkëpunoni.

 

 

Së treti, gjej një këshillues. Pasi të keni zgjedhur agjensinë imobiliare, zgjidhni një agjent brenda agjensisë, në rolin e ndihmësit apo këshilluesit. Të socializohesh me anëtarët e tjerë të ekipit të punës është art dhe arritje në një farë mënyre. Të ndërtosh një marrdhënie këshillimi me një nga agjentët e kompanisë që ti ke përzgjedhur do të të ndihmojë që ti të mësosh më tepër rreth hyrjeve të reja në tregun imobiliar dhe daljeve. Do të mësosh nga eksperiancat e tij/saj. Kjo është mundësia më e mirë që ti të bësh pyetje, të marrësh këshilla dhe udhëzime dhe të mësosh se cfarë nevojitet për të patur sukses në industrinë e pasurive të paluajtshme.

 

 

Së katërti, njihu me tregun. Një agjent i suksesshëm duhet ta njohë shumë mirë tregun dhe të ketë aftësi të bëjë vlerësimin e pasurive të paluajtshme, në mënyrë që të mund t’ju vijë në ndihmë blerësve për të blerë pasurinë që ata kërkojnë dhe shitësve që të mund të shesin sa më shpejt pasuritë e tyre. Për të realizuar këtë objektiv duhet jo pak punë. Agjenti duhet të njohë dhe ta studiojë herë pas here zonën dhe çmimin e tregut të pasurive të paluajtshme në atë zonë. Mos të harrojmë që klienti dëshiron kryejë punë sa më shpejt dhe për këtë ai kërkon të punojë me dikë që është shumë i zoti në punën e tij dhe e njeh shumë mirë zonën për të cilën ai interesohet, njeh regjimin e taksave që aplikohen, njeh tregun në të gjitha zonat apo qytetet e Shqipërisë dhe i sugjeron klientit pasurinë që i përgjigjet më së miri kërkesave dhe mundësive që ai ka duke kënaqur njëkohësisht interesat e klientit.

 

 

 

Së pesti, shfrytëso teknologjinë. Të gjithë e dimë që në ditët e sotme teknologjia është bërë zëri kryesor i sukseseve. Shfrytëzoji te gjitha instrumentet e marketimit dixhital dhe atij klasik që disponon për të promovuar shërbimin që ti ofron. Përmirësoji aftësitë e tua në përdorimin e aparatit fotografik në mënyrë që të realizosh foto tërheqëse dhe gjithëpërfshirëse të objektit të fotografuar.

 

 

Së gjashti, përfshihu në komunitet. Përvec teknologjisë është shumë e rëndësishme të përfshihesh në komunitet, të jesh social, i komunikueshëm, të krijosh lidhje më njerëz të rinj, përvec zonës, të njohësh komunitetin, kulturën, të mirat dhe të metat e komunitetit dhe zonës gjithashtu. Gjej një mënyrë “diplomatike” të promovosh shërbimin tënd, qoftë edhe në një grup njerëzish që i njeh rastësisht.

 

 

Së shtati, mëso artin e negocimit. Agjentët e sukseshëm të pasurive të paluajtshme përdorin fuqinë e bindjes për të inkurajuar klientët të bëjnë ose të pranojnë oferta të arsyeshme. Negocimi efektiv kërkon të kuptuarit e nevojave dhe dëshirave të palëve, duke qëndruar i hapur ndaj propozimeve dhe mundësive të shumta, duke parashikuar kundërshtimet e secilës palë dhe duke përgatitur përgjigje për cdo rast.

 

 

Së teti, krijo portofolin e cdo klienti. Për secilin klient duhet të krijoni portofolin e vet të të dhënave të pasurisë, në të cilin përfshihen fotot e pasurisë, vërtetimi i pronësisë, çmimi i pronës, të dhëna personale të pronarit.

 

 

Së nënti, ruaj kontakt me klientët që ke realizuar transaksione të mëparshme. Kjo është një mënyrë për të treguar se juve nuk ju ka interesuar vetëm përqindja e komisionit që keni marrë në formën e pagës, por edhe krijimi i një raporti të qëndrueshëm bashkëpunimi me klientët tuaj. Nëse klientit të mëparshëm do t’i duhet në një të ardhme të kryejë një shërbim në tregun imobiliar, ai me siguri do t’ju zgjedhë juve, pasi duke njohur personin tuaj të mirë dhe të zotë, beson se do t’i shërbeni në mënyrën më të mirë.