Inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i tregtisë e investimeve ka bërë që këtë vit të përballemi me një krizë financiare. Pavarësisht kësaj, ne ju tregojmë se pse investimi në pasuri të paluajtshme gjatë kësaj periudhe është mënyra më e mirë për të mbrojtur sasinë tuaj të parave nga zhvlerësimi.

Investimi në Pasuritë e Paluajtshme në kohë krize. A është e mundur?

Që pas pandemisë, duket se rendi botëror është në ndryshim të vazhdueshëm dhe ka gjasa që ky ndryshim do të vazhdojë edhe për disa kohë. Banka Botërore, në raportin për Ballkanin Perëndimor[1], shprehet se pavarësisht rikuperimit pas pandemisë, Ballkani Perëndimor po përballet aktualisht me një sërë sfidash të reja, të shtuara dhe nga lufta në Ukrainë, si rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i tregtisë dhe investimeve. Kjo gjë do të thotë që po përballemi me një krizë financiare të paparashikuar, që është përhapur dhe po ndodh në të gjithë botën e jo vetëm në Shqipëri.  

 

Ndryshe nga çfarë ndodhi në vendet e tjera të botës, ku në kohën e pandemisë u ulën disi çmimet e pasurive të paluajtshme, në Shqipëri ndodhi e kundërta; pati një rritje të vazhdueshme të çmimeve, e cila vijon deri më tani duke u rritur me 3%-5%.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë[2], për tremujorin e dytë të vitit, inflacioni bazë arriti nivelin 6.3%, më i larti i regjistruar ndonjëherë, dhe kjo solli dhe rritjen e normës së interesit në 1.75% duke e thelluar më tepër tkurrjen e fuqisë blerëse. Në të gjithë botën, fuqia blerëse e huamarrësve po fillon të ulet.

 

Kjo situatë mund të reduktojë potencialin financiar të blerësve të rinj për shkak të kostove të larta për blerjen e një shtëpie dhe gjithashtu duke ulur kërkesën e pronarëve ekzistues, të cilët, nëse janë në vështirësi financiare, mund të detyrohen të nxjerrin në shitje banesën e tyre.

 

Sipas The Economist[3], çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme, do të pësojnë një rënie si pasojë e uljes së kërkesës për blerje dhe pamundësisë për huamarrje në institucionet bankare. Megjithatë, edhe pa një përplasje të sinkronizuar bankare globale, panorama e tregut të banesave do të jetë e zymtë. Së pari, sepse tregjet e luhatura të pronave janë një pengesë në tregun e punës. Ndërsa normat e interesit rriten dhe çmimet modifikohen në mënyrë të përsëritur, pasiguria i bën njerëzit të hezitojnë të lëvizin.

 

Shitjet e shtëpive ekzistuese në Amerikë ranë me 20% në Gusht duke e krahasuar me një vit më parë. Në Kanada, vëllimet e shitjeve kanë pësuar rënie dhe parashikohet  të bien deri në  40% brenda këtij viti. Kur njerëzit nuk lëvizin, bie dinamika e tregjeve të punës, dhe padyshim ky aspekt konsiderohet një problematikë shqetësuese për të gjitha ato shoqëri tregtare që përpiqen të zhvillojnë biznesin e tyre pavarësisht mungesës së punëtorëve dhe krizës energjetike.

 

Çmimet më të ulëta të banesave mund të ndikojnë negativisht tek konsumatorët duke i bërë ata më pesimistë dhe më të varfër. Në mbarë botën, tregu i banesave ka një vlerë prej 250 trilionë dollarësh (në krahasim me tregjet e kapitalit, të cilat kanë një vlerë prej 90 trilionë dollarësh) dhe përbëjnë gjysmën e të gjithë pasurisë botërore. Një faktor tjetër i ndikimit negativ të rënies së çmimeve në ekonominë e vendit, është ajo që bankat qendrore synojnë të sjellin duke rritur normat e interesit (politikat monetare). Kjo ul nivelin e kërkesës në ekonomi, sepse normat e larta të interesit inkurajojnë familjet dhe firmat të kursejnë më shumë dhe të shpenzojnë më pak.

 

Rritja e kostove të jetesës, do të çojë doemos në rritje të numrit të familjeve në vështirësi financiare. Kursimet do të ulen, dhe të ardhurat do të duhet të shkojnë kryesisht për konsumimin e produkteve të shportës. Rritja e normave të interesave, në jo pak raste, do të detyrojë konsumatorët të shesin shtëpitë e tyre.

 

Pavarësisht panoramës së shtjelluar më lart, ulja e çmimeve mund të ketë dhe ndikime pozitive për këdo që ka qenë i tërhequr më parë nga vendosja në zbatim e idesë për investime në pasuri të paluajtshme. Duke qenë se për shkaqet që përmendëm, shumë njerëz do të detyrohen të shesin shtëpitë e tyre me një çmim më të lirë, kjo mund të rezultojë si një mundësi e artë për ata blerës potencialë që duan të zgjerojnë më tej volumin e tyre të investimeve në pasuri të paluajtshme.

 

Investimi në pasuri të paluajtshme gjatë një krize financiare inflacioniste është mënyra më e mirë për të mbrojtur sasinë tuaj të parave nga zhvlerësimi. Mjafton të hidhni një vështrim retrospektiv mbi atë që mund të blinit para 10 vitesh dhe çfarë mund të blini tani me të njëjtën sasi parash dhe do ta kuptoni se vlera e parasë ka ndryshuar në mënyrë thelbësore gjatë një dekade.

 

Në një vështrim krahasues, investimi në pasuri të paluajtshme ofron më shumë garanci sa i perket qëndrueshmërisë së vlerës së vetë pasurisë; krahasishmisht me investimet në tregjet kapitale. Në terma afatgjatë, pasuritë e paluajtshme garantojnë gjithashtu një kthim të kënaqshëm nga investimi edhe nëse preken herëpashere nga kriza ciklike. [shikoni për më tepër Artikullin “Investimet në Pasuri të Paluajtshme vs. Investimi në Aksione”

 

Tregu i pasurive të paluajtshme është një treg i hapur, lehtësisht i aksesueshëm nga çdo njeri me likuiditet të mjaftueshëm për t'u bërë pronar i një prone të paluajtshme. Më fitimprurësit në këtë treg janë blerësit e zgjuar, të cilët kanë mësuar se si t’i shfrytëzojnë luhatjet e tregut, duke marrë kështu fitimin më të mirë të mundshëm nga investimet e tyre.

 

Edhe pse këto janë kohë të pasigurta, kjo nuk është hera e parë që industria e pasurive të paluajtshme është ndikuar nga një krizë ndërkombëtare dhe ka të ngjarë të mos jetë as hera e fundit. Kohët e krizës priren të ofrojnë mundësitë më të mira të investimit për më të përgatiturit. Çelësi qëndron tek gjetja e momentit të duhur për të blerë apo shitur pasuritë e paluajtshme dhe mendësia për të parë mundësinë aty ku të tjerët shohin pengesën.


[1] https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report

[2]https://www.bankofalbania.org/Botime/Botime_Periodike/Raporti_i_Politikes_Monetare/Raporti_Tremujor_i_Politikes_Monetare_2022_IV.html

[3] https://www.economist.com/leaders/2022/10/20/a-global-house-price-slump-is-coming